Rusi/ Zyrtarët dorëzojnë orët para takimeve me Putin, masa të reja sigurie ngrejnë pikëpyetje

Zyrtarët e lartë në Rusi raportohet se janë të detyruar të dorëzojnë orët e dorës përpara takimeve me presidentin Vladimir Putin, sipas mediave të huaja.

Sipas raportimeve nga RBC Ukraine dhe një hetimi të projektit “We Can Explain”, kjo masë e re sigurie ka hyrë në fuqi në mes të prillit dhe përfshin si orët elektronike, ashtu edhe ato mekanike.

Deri më tani, gjatë takimeve me presidentin rus ishin ndaluar pajisjet elektronike, por tani kufizimet janë zgjeruar edhe për orët e dorës.

Dy burime të cituara nga hetimi kanë bërë të ditur se kjo praktikë është pjesë e masave më të rrepta të sigurisë rreth presidentit, ndërsa më herët ndaloheshin kryesisht telefonat dhe pajisjet elektronike.

Sipas raportimeve, këto masa lidhen me shqetësime të shtuara për sigurinë e presidentit dhe frikën nga rreziqe të mundshme, përfshirë atentate apo destabilizim të brendshëm. Autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar dhe Kremlini nuk ka konfirmuar ndryshime në protokollet e sigurisë.