Kriza shpërthen në Partinë Laburiste/ Sondazhi tregon rënie besimi ndaj Starmer dhe thirrje për dorëheqje
Një sondazh i ri ka nxjerrë në pah pakënaqësinë në rritje brenda Partisë Laburiste në Britani, ku një pjesë e madhe e anëtarëve nuk besojnë më se lideri Keir Starmer mund ta rikthejë partinë në fitore.
Sipas rezultateve të publikuara, 45% e anëtarëve mendojnë se Starmer duhet të largohet nga drejtimi i partisë, ndërsa më shumë se gjysma besojnë se ai nuk është në gjendje të ndalë rënien e Laburistëve në sondazhe.
Si figura më e preferuar për të marrë drejtimin e partisë shihet Andy Burnham, i cili gëzon mbështetje të lartë mes anëtarëve. Sondazhi tregon se Burnham ka një mbështetje neto prej 72%, duke u konsideruar si kandidati më i fortë për të zëvendësuar Starmer.
Pakënaqësia ndaj lidershipit aktual është rritur pas humbjeve të fundit zgjedhore në Angli, Skoci dhe Uells. Në zgjedhjet lokale, partia Reform UK e drejtuar nga Nigel Farage arriti fitore të rëndësishme duke marrë qindra vende dhe kontrollin e disa këshillave lokalë.
Ndërkohë, në Skoci, Scottish National Party vazhdoi dominimin me një tjetër fitore të rëndësishme, ndërsa në Uells, Plaid Cymru i dha fund dominimit historik të Laburistëve në disa zona.
Sondazhi zbulon gjithashtu se më shumë se një e treta e anëtarëve po mendojnë të largohen nga Partia Laburiste. Ndërkohë, disa deputetë të partisë kanë nisur presionin ndaj Starmer për të përcaktuar një afat për largimin nga posti i liderit, ndërsa mbështetësit e Burnham kërkojnë rikthimin e tij në parlament për të hyrë në garën për drejtimin e partisë.

