Evo Morales përballet me gjyqin për lidhjen me 15-vjeçaren, ish-presidenti i Bolivisë i fshehur prej muajsh për t’i shpëtuar arrestimit

Një gjykatë në Bolivi ka thirrur ish-presidentin Evo Morales në seancën e parë të gjyqit ndaj tij për trafikim të dyshuar të një të miture.

Procesi pritet të nisë të hënën në rajonin e Tarija, por ekziston mundësia që seanca të shtyhet, pasi avokatët e tij thonë se nuk kanë marrë njoftim zyrtar nga gjykata.

Sipas prokurorisë, Morales akuzohet se në vitin 2015 kishte një marrëdhënie me një vajzë 15-vjeçare, kohë kur ai ishte ende president i Bolivisë.

Hetimet pretendojnë se nga kjo marrëdhënie ka lindur edhe një vajzë. Prokurorët dyshojnë gjithashtu se prindërit e adoleshentes kishin pranuar lidhjen në këmbim të favoreve politike.

Avokati i Moralesit, Wilfredo Chavez, tha se as ish-presidenti dhe as ekipi mbrojtës nuk do të marrin pjesë në seancë, pasi sipas tij thirrja nuk është dërguar në mënyrë zyrtare, por vetëm është publikuar në media.

Morales, 66 vjeç, ndodhet i izoluar në rajonin Chapare që prej vitit 2024, për t’iu shmangur arrestimit pas urdhrit të lëshuar ndaj tij.

Mediat lokale raportojnë se mbështetësit e tij kanë ngritur një lloj mbrojtjeje përreth zonës ku ai qëndron, për të penguar ndërhyrjen e policisë.

Gjykata kishte pezulluar më herët procedurat ndaj tij, pasi Morales nuk ishte paraqitur në një seancë dëgjimore në janar të vitit 2025. Tani mbetet për t’u parë nëse procesi do të vazhdojë edhe pa praninë e ish-presidentit.