Tragjedi në Piacenza/ 60-vjeçari vr*t bashkëshorten dhe telefonon vetë policinë pas krimit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Piacenza të Italisë, ku një 60-vjeçar me origjinë nga Maqedonia ka vrarë bashkëshorten e tij brenda banesës së tyre.

Pas krimit, ai ka telefonuar vetë shërbimet e emergjencës dhe ka njoftuar se kishte vrarë gruan. Më pas është larguar nga vendngjarja.

Policia dhe karabinierët kanë mbërritur menjëherë në apartament, ku kanë gjetur trupin e pajetë të 56-vjeçares në sallon, me shenja të shumta dhune dhe pranë saj një thikë që dyshohet se është përdorur në krim.

Hetimet paraprake tregojnë se gruaja mund të ketë tentuar të mbrohej.

Autoritetet nisën kërkimet për autorin dhe e gjetën rreth dy orë më vonë në një varrezë në Piacenza, pranë varrit të djalit të tij që kishte ndërruar jetë më herët.

Ai kishte tentuar të dëmtonte veten, por u ndalua në kohë dhe mori ndihmën mjekësore para se të arrestohej.

Çifti kishte katër fëmijë, dy prej të cilëve ndodheshin te një i afërm në momentin e ngjarjes. Banesa është vendosur nën kontroll dhe hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat e plota të krimit.