Katastrofë mjedisore në Gjirin Persik/ Derdhje e madhe nafte pranë ishullit strategjik Kharg
Një derdhje e madhe nafte është konstatuar në Gjirin Persik, pranë ishullit Kharg në Iran, një nga zonat më të rëndësishme për eksportin e naftës në botë.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për ndikim serioz në mjedis dhe për mundësinë e një ndotjeje të gjerë detare.
Sipas të dhënave të raportuara nga mediat ndërkombëtare dhe analiza satelitore, zona e ndotjes shtrihet mbi rreth 50 kilometra katrorë, ndërsa vlerësohet se në det mund të jenë derdhur mbi 3,000 fuçi naftë.
Shkaku i incidentit ende nuk është i qartë.
Ngjarja ndodh në një periudhë tensionesh të larta në rajon, ku muajt e fundit janë raportuar edhe përplasje dhe sulme të ndryshme.
Ishulli Kharg është pika kryesore nga ku Irani eksporton naftën e tij dhe përmes tij kalon pjesa më e madhe e naftës së vendit drejt tregjeve ndërkombëtare.
Sipas raportimeve, njolla e naftës po lëviz drejt jugut dhe mund të afrohet me ujërat e Arabisë Saudite, duke rritur rrezikun e një problemi ndërkufitar mjedisor.
Autoritetet iraniane ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për situatën.

