Uashingtoni 'shtrëngon' presionin ndaj Kinës/ Sanksione për ndihmën e dyshuar ndaj industrisë ushtarake të Iranit

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj disa kompanive dhe individëve kinezë, për shkak të lidhjeve të dyshuara me Iranin dhe programin e tij ushtarak.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, katër kompani janë vendosur në listën e sanksioneve, tre prej tyre me seli në Kinë.

Ato akuzohen se kanë ofruar shërbime satelitore që janë përdorur nga Irani për sulme ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme.

Njëkohësisht, Departamenti i Thesarit ka vendosur masa ndëshkuese ndaj dhjetë individëve dhe kompanive të tjera, përfshirë subjekte kineze, të cilat dyshohet se kanë ndihmuar Iranin në sigurimin e teknologjisë për raketa balistike dhe dronë.

Autoritetet amerikane thonë se këto masa kanë për qëllim të kufizojnë mbështetjen për industrinë ushtarake iraniane dhe të rrisin presionin ndaj rrjeteve që e ndihmojnë atë.

Nga ana tjetër, Kina ka reaguar duke kundërshtuar sanksionet, duke i cilësuar si të njëanshme dhe pa bazë në të drejtën ndërkombëtare, dhe ka bërë të ditur se do të mbrojë kompanitë dhe qytetarët e saj.

Vendimi vjen pak ditë përpara takimit të planifikuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit kinez Xi Jinping në Pekin.