“Mund të rikthehet nga zero”/ Berisha zbulon dokumentin e BE: Ja opsioni 'rezervë' që mund të 'ngrijë' negociatat me Shqipërinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për një raport të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, të cilin e cilësoi si një pasqyrë të problemeve që, sipas tij, ekzistojnë në Shqipëri.

Gjatë një komunikimi me qytetarët online, Berisha tha se raporti është përgatitur pas një misioni faktmbledhës të deputetëve europianë që kanë vizituar Shqipërinë.

Sipas tij, delegacioni ka parë nga afër situatën dhe ka ngritur një sërë shqetësimesh që lidhen me qeverisjen dhe institucionet.

Ai u shpreh se në raport përmenden shumë problematika dhe se kërkohet që ato të adresohen. Në të kundërt, sipas Berishës, është përmendur edhe një mundësi ekstreme që lidhet me ndërprerjen ose ngrirjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ai shtoi se kjo konsiderohet vetëm si opsion rezervë.

Berisha tha gjithashtu se raporti pritet të diskutohet në Parlamentin Evropian në muajin qershor dhe se ai, sipas tij, pasqyron realitetin në vend dhe mbështet edhe qëndrimet e opozitës.

Ai foli edhe për marrëdhënien e tij me mediat, duke u shprehur se kritikat e tij nuk drejtohen ndaj gazetarëve, por ndaj pronarëve të mediave, të cilët i akuzon për ndikim dhe përfitime nga fondet publike.