PËRPLASJA ME RENDIN NË TUBIMIN E OPOZITËS/ Policia: Tre efektivë të lënduar dhe 7 persona të proceduar

Policia e Tiranës ka bërë të ditur se, pas përfundimit të tubimit të organizuar nga Partia Demokratike mbrëmjen e 8 majit 2026 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë proceduar penalisht 7 persona.

Sipas njoftimit, gjatë tubimit disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete djegëse (molotov), lëndë piroteknike dhe kanë goditur forcat e policisë me sende të forta.

Si pasojë e këtyre veprimeve, janë lënduar tre punonjës policie.

Nga të proceduarit, gjashtë persona akuzohen për kundërshtim të punonjësit të rendit, goditje për shkak të detyrës dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Një tjetër person, i cili është edhe deputet, akuzohet për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme.

Policia ka sekuestruar në vendngjarje një molotov, mjete piroteknike dhe sende të forta të përdorura gjatë incidentit.

Autoritetet kanë bërë me dije se informacionet për ngjarje të tilla nuk do të publikohen më në mënyrë të shpërndarë për grupe, por do të jepen vetëm përmes faqes zyrtare të Policisë së Shtetit.