“As Zoti s’e ndryshon dot”/ Diploma me gabim i bllokon karrierën studentes, askush s’jep zgjidhje

Problematika e radhës e trajtuar sot, më 8 maj, në emisionin “Stop” lidhet me denoncimin e një studenteje të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, e diplomuar për Teknikë Imazherie.

Ajo ka konstatuar një gabim të rëndë në diplomën e saj. Data e diplomimit është shënuar gabimisht “2022” në vend që të shënohej “2025”.

Kjo pasaktësi vë në pikëpyetje vlefshmërinë e dokumentit dhe rrezikon drejtpërdrejt procesin e licensimit profesional.

Pasi ka kërkuar korrigjimin, fakulteti nuk ka lëshuar një diplomë të re, por vetëm një vërtetim shoqërues.

Ndërkohë, pranë Urdhrit të Infermierit, specialistja e licensimit, Silvana Bejko, sqaron se procedura bazohet mbi të dhënat e kartonit të diplomës, çka do të thotë se çdo gabim në të duhet korrigjuar nga vetë institucioni arsimor.

Në një komunikim me fakultetin, pranohet se bëhet fjalë për një gabim njerëzor, por argumentohet se diploma lëshohet vetëm një herë dhe nuk mund të ribëhet, sidomos nëse është firmosur dhe tërhequr nga studenti. Sipas tyre, zgjidhja është pajisja me një vërtetim që konfirmon të dhënat e sakta.

Ekspertja e arsimit të lartë, Nora Malaj, thekson se një vërtetim nuk mund të zëvendësojë një diplomë me të dhëna të pasakta. Sipas saj, zgjidhja ligjore është asgjësimi i diplomës me gabim dhe pajisja e studentes me një diplomë të re.

Fakulteti i Shkencave Mjeksore Teknike:

Qytetarja: Bëhet fjalë për time motër, që është bërë gabim tema e diplomës.

Informacioni: Ajo është bërë një gabim në shkrim. Unë këtë e kuptoj dhe megjithëse s’e kam parë me sy, e pranoj, që mund të jetë bërë ashtu nga X-i. Ai është një gabim, që dhe ti mund të jesh në një pozicion pune dhe është përderisa shkruhet me dorë, ësht pak… Megjithatë, ne i kemi shkruajtur gjithmonë me njeri apostafat shkrues, që ka fituar tenderin, nuk është, se ka qenë person i brendshëm. Më kupton?

Informacioni: Ndodhin shumë incidente, gjëra. Ajo, kartoni, përthyhet, bëhet i pavlefshëm, nuk lexohen numrat, ndonjëherë fshihet dhe boja, se nuk janë po themi, s’e di unë, se ku e çon. Mund t’i bjeri një çikë ujë dhe e fshin.

Informacioni: Unë nuk them, se s’ke bërë shkollën. Shkollën e ke bërë, të jap të dhënat e sakta. Të jap dhe vërtetim specific them: -Filania filloi në këtë datë. Ka këtë numër diplome. Ka këtë numër matrikullimi dhe mbaroi në  këtë datë. U diplomua në këtë datë. Kjo është zgjidhja.

Informacioni: Në këtë rast, nëse ajo nuk do e kishte pranuar ta tërhiqte, ne detyroheshim në momentin, që ajo s’kishte firmosur. Detyroheshim t’i plotësonim, këtë diplomë ta nxjerrim jashtë përdorimit, ndërsa t’i plotësonim një dublikatë tjetër, si kartoni i parë. Në rastin, që ajo ka firmosur, që e ka mbajtur në shpi dhe ka ardhur me nxjerrë një kërkesë, sot, mbas 6-muajsh, është e pamundur, që t’i plotësohet një karton.

Qytetarja: Thjesht, të dimë tani si do zgjidhet! Për këtë erdha unë të pyes.

Informacioni: Zgjidhja, zgjidhja është shumë e thjeshtë. Në dokumentat, që humbasin, që bëhen të pavlefshëm, në rastin konkret të motrës tuaj, e cila e ka tërhequr, s’e ka vënë re, nuk i lëshohet dublikatë. Domethënë, një karton i asaj natyre, nuk lëshohet më. Jo avokati, po Zoti vetë të vijë, sepse është ligji i arsimit të lartë, i cili nuk e lejon këtë veprim më. /Emisioni STOP