Humbi vëllanë nga zjarri e mbeti pa shtëpi, 70-vjeçarja jeton në shkallë prej 40 ditësh!

Emisioni investigativ “Stop” trajtoi mbrëmjen e sotme, më 8 maj, një rast tragjik, i cili është raportuar në redaksinë e “Stop”, ku 70-vjeçarja Afërdita Krasta ka humbur banesën e saj si pasojë e një zjarri të madh, ku ndërroi jetë edhe vëllai i saj.

Prej rreth 40 ditësh, ajo jeton pa një çati mbi kokë, duke u strehuar herë pas here te fqinjët.

Infermierja e lagjes, Mimoza Xhamaqi, tregon se e moshuara ndodhet në gjendje të vështirë dhe pa mbështetje.

Sipas saj, Afërdita nuk ka as kushtet minimale të jetesës dhe vuan edhe nga shumë sëmundje. Grupi ynë i xhirimit konstatoi se banesa është e shkatërruar pothuajse plotësisht nga zjarri, ndërsa fqinjët e kanë ndihmuar duke i siguruar edhe lidhje elektrike dhe kushte minimale higjienike. Megjithatë, e moshuara refuzon të hyjë në shtëpi për shkak të traumës.

Pas ndërhyrjes mediatike, rasti është referuar tek institucionet sociale, të cilat kanë bërë me dije se dokumentacioni është dërguar në strukturat e Emergjencave Civile për vlerësim të dëmit, ndërsa po pritet përfundimi i ekspertizës lidhur me viktimën.

Ndërkohë, është premtuar përfshirja e saj në skemën e ndihmës ekonomike dhe mbështetje psikologjike për të përballuar traumën. /Emisioni STOP