Dyshohet si “molla e sherrit” ku mbeti i vr*rë Rexhep Ismaili, del FOTOJA e Viktor Ruçit
Janë publikuar fotot e 50-vjeçarit Viktor Ruçi, i njohur ndryshe edhe si “Tori Ruçi”, emri i të cilit po përmendet si një nga personat kyç në konfliktin e ndodhur mbrëmjen e kaluar në zonën e Gjashtës në Sarandë, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, konflikti ka nisur pas një përplasjeje mes Kostandin Voglit dhe Viktor Ruçit. Dyshohet se Vogli kishte thirrur disa të rinj pasi kishte pikasur Ruçin në lokalin në pronësi të Ismailit.
Fillimisht palët janë përfshirë në një konflikt fizik me sende të forta, por situata ka degraduar më pas në shkëmbim zjarri. Nga të shtënat, Kostandin Vogli mbeti i plagosur në këmbë, ndërsa një prej të rinjve që ndodhej me të dyshohet se ka qëlluar me armë në drejtim të Rexhep Ismailit, duke i shkaktuar vdekjen.
Pas ngjarjes, Kostandin Vogli u vetëdorëzua në polici dhe u dërgua në spitalin e Sarandës për ndihmë mjekësore. Burime bëjnë me dije se ai pritet të transferohet drejt Vlorës për trajtim më të specializuar dhe për arsye sigurie.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në konfliktin fatal.
Viktor Ruçi, me origjinë nga Tepelena dhe banues prej vitesh në fshatin Gjashtë të Sarandës, rezulton sipas raportimeve me precedentë penalë dhe është përmendur më herët edhe në hetime që lidhen me trafik droge.

