PS propozon ndryshime në Kodin Rrugor/ Hoxha: Ja pse nuk duhet të ketë 'shans të dytë'

Një propozim i ri nga PS për ndryshime në Kodin Rrugor, i cili parashikon ashpërsimin e masave për drejtuesit e mjeteve nën ndikimin e alkoolit, ka ndezur një debat të fortë publik.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte eksperti i sigurisë rrugore, Gëzim Hoxha, i cili e konsideron këtë propozim të pastudjuar dhe një hap prapa, duke argumentuar se i hap rrugë tragjedive të mëtejshme.

Propozimi specifikon se heqja e përhershme e lejes së drejtimit do të aplikohet vetëm kur një shofer kapet për herë të dytë me një nivel alkooli mbi 0.8 g/l në gjak. Kjo klauzolë e “shansit të dytë” është pika që ka hasur në kundërshtimin më të ashpër.

Hoxha e cilësoi atë si “liberal” dhe “të pastudjuar”. Sipas tij, ligji aktual është i prerë dhe nuk lë vend për interpretime: “Kodi ynë rrugor e thotë shprehimisht, ndalohet përdorimi sadopak i pijes alkoolike, pikë. Kjo ka mbaruar,” theksoi ai.

Eksperti argumenton se nuk duhet pritur që një drejtues i dehur të shkaktojë një viktimë apo një tragjedi për t'u ndëshkuar në mënyrë përfundimtare.

“Nuk duhet të presim ne që ky të na sjellë viktima, ta kapim për herë të dytë, të tretë apo të pestë dhe atëherë të kujtohemi,” shtoi ai, duke e quajtur këtë një logjikë të papranueshme.

Ai solli në vëmendje se çdo nivel alkooli në gjak, përfshirë edhe atë nën kufirin e propozuar, e bën një shofer të rrezikshëm në timon.

Duke vënë në pah se kodi bazohet në standarde ndërkombëtare, ai theksoi se ligji nuk mund të bëjë dallime mes atyre që “e mbajnë pijen” dhe atyre që nuk e mbajnë.

Hoxha paraqiti një zgjedhje drastike: “Më mirë të kemi 500 veta që e lënë këtë zanat [shoferë taksie, autobusi] dhe fillojnë punojnë me kazëm, sesa të kemi 200-300 të vdekur në vit.”

Sipas tij, propozimi aktual nuk e ashpërson ligjin, por përkundrazi, i shton një “bisht”, një klauzolë shpëtimi që nuk duhet të ekzistojë.

Zgjidhja, sipas ekspertit, është zero tolerancë: kushdo që kapet duke drejtuar mjetin pas konsumimit të alkoolit, duhet të humbasë lejen e drejtimit që në herën e parë, pa asnjë përjashtim. “Kush përdor pije alkoolike, nuk duhet të përdorë automobil. Kjo duhet prerë një herë e përgjithmonë,” përfundoi ai.

Ndiqni intervistën e plotë: