ATENTATI NDAJ PROKURORIT TANI DEPUTET/ SPAK kërkon dënim me burg përjetë për Plaurent Dervishajn
SPAK kërkoi burgim të përjetshëm për Plaurent Dervishajn si organizator i atentatit ndaj Arjan Ndoja në Shkozet, ku humbi jetën Andi Maloku dhe u plagos Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”. Prokuroria kërkoi gjithashtu 35 vite burg për bashkëpunëtorin Julian Meçe, ndërsa për ngjarjen janë dënuar më herët edhe disa persona të tjerë.
Prokuroria e Posaçme, SPAK kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Plaurent Dervishajn, i cili akuzohet për organizimin e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor 2019, tek mbikalimi i Shkozetit.
Prokurori Adnan Xholi, bazuar në provat dhe dëshmitë e mbledhura, kërkoi edhe 35 vite burg për bashkëpunëtorin e Dervishajt, Julian Meçe, i cili po ashtu rezulton se ka kryer veprime aktive në ngjarjen ku humbi jetën Andi Maloku dhe u plagos Aleksandër Laho, i njohur si “Rrumi i Shijakut”.
Ndaj dy të pandehurve, të cilët u gjykuan në një proces të ndarë nga pjesa tjetër e personave të përfshirë në të njëjtën ngjarje, rëndojnë vepra të rënda penale, duke nisur nga vrasja me paramendim deri tek vrasja e mbetur në tentativë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Për të njëjtën ngjarje janë ende në proces gjykimi Amar Shkembi dhe Bledar Polovina. Ky i fundit ndodhet në arrati, teksa gjyqi ndaj tij po zhvillohet në mungesë.
Me vendim të formës së prerë për atentatin e 1 nëntorit 2019 janë dënuar më herët Redjan Rraja me burgim të përjetshëm dhe Ramazan Rraja me 9 vite burg, dënim i cili u reduktua në 6 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa me 5.4 vite burg është dënuar Genti Ndrejaku, me 4.8 vite Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani, si dhe me 4 vite e 4 muaj Julian Pjetri.
Për këtë ngjarje ka dhënë dëshmi dy herë në Gjykatën e Posaçme ish-prokurori i Durrësit, njëherësh deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, i cili është shprehur se i ka të qarta motivet e sulmit me armë ndaj automjetit të tij dhe se ia ka lënë në dorë organit të akuzës zbardhjen e ngjarjes.
