Irani krijon agjenci të re për kontrollin e tranzitit dhe taksimin në Ngushticën e Hormuzit
Irani ka krijuar një agjenci të re qeveritare që do të merret me autorizimin e kalimit të anijeve dhe mbledhjen e taksave në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit.
Sipas të dhënave të firmës detare Lloyd’s List Intelligence, institucioni i ri quhet “Autoriteti i Ngushticave të Gjirit Persik” dhe synon të jetë i vetmi organ që jep leje për tranzitin e anijeve në këtë zonë strategjike.
Raportohet se autoriteti iranian u ka dërguar kompanive detare formularë aplikimi për anijet që kalojnë në këtë ngushticë, duke vendosur një mekanizëm të ri kontrolli mbi lëvizjen detare.
Kjo lëvizje ka ngritur shqetësime në industrinë ndërkombëtare të transportit detar, pasi Ngushtica e Hormuzit është një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë.
