Çifti gjerman përvetësoi 1.9 milionë euro nga parkimet, gjykata jep vendim të pazakontë

Një çift i martuar në Gjermani është dënuar me nga 5.5 vite burg secili, pasi u shpall fajtor për përvetësimin e rreth 1.9 milionë eurove nga matësat e parkimit të një qyteti.

Sipas gjykatës në Kempten, ish-punonjësi 40-vjeçar i bashkisë dhe bashkëshortja e tij 39 vjeçare kanë vepruar së bashku për një periudhë disa vjeçare.

Ai dyshohet se ka marrë paratë nga pajisjet e parkimit, ndërsa ajo i ka depozituar në llogari bankare.

Gjykata ka vendosur që çifti të dëmshpërblejë plotësisht qytetin dhe ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive të tyre për një periudhë deri në 30 vite, për të mbuluar shumën e dëmit.

Hetimet tregojnë se aktiviteti i tyre ka vijuar për më shumë se 10 vite, me mbi 300 raste të provuara që nga viti 2020, duke shkaktuar dëme mbi 1.3 milionë euro. Një pjesë tjetër e rasteve më të vjetra nuk mund të ndiqet penalisht për shkak të parashkrimit.

Autoritetet thonë se çifti ka jetuar me një stil luksoz, duke shpenzuar paratë e përfituara për makina, kuaj dhe produkte të shtrenjta.