RUAJNË SHQIPEN DHE TRADITAT ARBËRORE! Shqiptarët e Ukrainës kërkojnë rrënjët në juglindje: Jemi disa mijëra
Një çift bashkëshortësh shqiptarë nga Ukraina vizituan Pogradecin në kërkim të rrënjëve të paraardhësve të tyre nga juglindja e Shqipërisë. Ata tregojnë se mbi 3 mijë shqiptarë në Karakurt ruajnë prej 400 vitesh gjuhën dhe traditat shqiptare, ndërsa kanë hapur edhe klasa për mësimin e shqipes.
“Jam shqiptar nga Ukraina, nga fshati Karakurt.”
Ky është Mihail Siupur, një shqiptar i Ukrainës, i cili bashkë me bashkëshorten, Kirano, po ashtu pjesë e komunitetit shqiptar atje, janë rikthyer në Pogradec në kërkim të gjurmëve të paraardhësve që lanë trojet në shekullin e XVI pas pushtimit të plotë osman.
Bashkëshortët Siupur tregojnë se në fshatin Karakurt të Ukrainës jetojnë mbi 3 mijë shqiptarë që flasin shqip dhe trashëgojnë kulturën prej 400 vitesh.
Së fundmi kanë hapur edhe një klasë ku mësohet shqip, si garanci që gjuha shqipe nuk do të harrohet kurrë, edhe pse historia i çoi në Odesë.
Pjesa më e madhe e shqiptarëve të Ukrainës janë nga juglindja e vendit, ndaj edhe bashkëshortët Siupur i kanë gjetur rrënjët e tyre në Pogradec.
Thonë se janë siguruar që familja ta ruajë identitetin në çdo kohë.
Studiuesi Ledjan Zeqollari thotë se komuniteti i shqiptarëve të Ukrainës është si arbëreshët e Italisë, duke theksuar trashëgiminë e kulturës dhe gjuhës së vjetër shqipe.
Ata thonë se duan t’u tregojnë shqiptarëve të tjerë në Karakurt për vendin e origjinës, në mënyrë që ta vizitojnë së shpejti.
