TEST PËR QEVERINË E STARMER/ Miliona britanikë u drejtohen kutive të votimit

Keir Starmer po përballet me një provë të rëndësishme politike ndërsa miliona britanikë votojnë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Britani. Analistët thonë se do të ketë humbje për Partinë Laburiste, ndërsa rezultatet pritet të tregojnë nivelin real të mbështetjes për qeverinë aktuale.

Keir Starmer po përballet me testin më të madh elektoral që nga fitorja e Partisë Laburiste në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2024. Miliona britanikë po iu drejtohen kutive të votimit në zgjedhje lokale në Angli, si edhe në zgjedhjet parlamentare në Skoci dhe Uells.

Në Angli, votuesit do të zgjedhin përfaqësues për këshillat bashkiakë dhe lokalë, me rreth 5 mijë vende në garë në 136 zona të ndryshme.

Gjithashtu do të zhvillohen edhe gjashtë gara për kryetarë bashkish.

Ndërkohë, në Skoci dhe Uells qytetarët do të zgjedhin deputetët e parlamenteve të tyre kombëtare, të cilat kanë kompetenca në fusha si arsimi dhe shëndetësia.

Këto zgjedhje konsiderohen shumë të rëndësishme për qeverinë britanike, pasi popullariteti i Starmer ka rënë ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit në pushtet.

Sipas sondazheve dhe analistëve politikë, Partia Laburiste pritet të pësojë humbje të konsiderueshme, ndërsa votuesit mund të përdorin zgjedhjet për të shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë.

Një nga kritikët më të fortë të kryeministrit, Stephen Flynn i Partisë Kombëtare Skoceze, e ka quajtur rezultatin e mundshëm “Starmergeddon”, që nënkupton një katastrofë politike për të.

Analistët thonë se rezultatet mund të ndikojnë ndjeshëm në klimën politike të Britanisë dhe të tregojnë sa mbështetje reale gëzon ende qeveria laburiste.