ALASKË, REGJISTROHET CUNAMI REKORD/ Studimi në revistën shkencore Science: Megacunami në Tracy Arm, i dyti më i fuqishmi në histori

Një megacunam në Alaska që krijoi një valë rreth 482 metra të lartë, është renditur si cunami i dytë më i madh në histori pas atij të vitit 1958. Sipas studimit të publikuar në Science, shkrirja e akullnajave nga ndryshimet klimatike po rrit ndjeshëm rrezikun e katastrofave të tilla.

Një megacunam gjigant që goditi veriun e Alaska verën e kaluar është shpallur tashmë si vala e dytë më e lartë e regjistruar ndonjëherë në histori. Shkencëtarët paralajmërojnë se ngjarje të tilla po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme për shkak të shkrirjes së akullnajave nga ndryshimet klimatike.

Ngjarja ndodhi në fjordin Tracy Arm, në juglindje të Alaskës, një zonë e njohur për peizazhet spektakolare dhe lundrimet turistike. Një pjesë e madhe mali u shemb papritur në det, duke çliruar rreth 64 milionë metra kub shkëmbinj sa 24 Piramida të Mëdha të Egjiptit.

E gjithë masa e gurëve u përplas në ujë për më pak se një minutë dhe krijoi një valë gjigante afro 500 metra të lartë.

Sipas studiuesve, vetëm fakti që ngjarja ndodhi gjatë natës shmangu një tragjedi të madhe, pasi anijet turistike që zakonisht kalojnë në atë zonë nuk ndodheshin aty në ato momente.

Megacunamet krijohen zakonisht kur rrëshqitje masive dheu ose shkëmbinjsh bien në ujë, shpesh pas tërmeteve apo dobësimit të terrenit.

Ndryshe nga cunamet klasike që krijohen nga tërmetet në oqean dhe përhapen në distanca të mëdha, megacunamet janë më lokalë, por shumë më të lartë dhe shkatërrues.

Rekordi historik mbahet ende nga një tjetër megacunam në Alaskë në vitin 1958, kur vala arriti 524 metra lartësi.

Megacunami i fundit në Tracy Arm ishte rreth 482 metra, duke u renditur i dyti më i madhi.

Studimi i publikuar në revistën shkencore Science tregon se shkrirja e akullnajave ka luajtur rol kyç në këtë katastrofë.

Akullnaja që më parë mbështeste malin ishte tërhequr për shkak të temperaturave më të larta, duke lënë të pambështetur faqen shkëmbore që më pas u shemb.

Eksperti Stephen Hicks nga University College London tha se ndryshimet klimatike po rrisin rrezikun në zonat malore.

Sipas tij, gjithnjë e më shumë turistë po vizitojnë këto vende për të parë natyrën dhe efektet e klimës, por shpesh nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun real.

Shkencëtarët kërkojnë tashmë monitorim më të gjerë të zonave të rrezikuara, ndërsa disa kompani turistike kanë njoftuar se do të ndalojnë lundrimet drejt Tracy Arm për arsye sigurie.