“Irani nuk kërkon armë bërthamore”/ Trump jep sinjale për marrëveshje të mundshme me shtetin iranian

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë të ditur se Irani është zotuar të mos zhvillojë armë bërthamore. Deklarata u bë gjatë një konference të papritur për shtyp në Zyrën Ovale.

Ai u shpreh se mes SHBA-së dhe Iranit kanë vijuar bisedime të mira gjatë 24 orëve të fundit dhe se ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje.

Trump la të kuptohet gjithashtu se afati 30-ditor për një zgjidhje të negociuar nuk është i prerë dhe mund të ndryshojë sipas ecurisë së diskutimeve.

Sipas tij, procesi i bisedimeve po shkon në drejtimin e duhur, megjithëse detajet zyrtare ende nuk janë bërë publike.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka mbajtur të hapur edhe opsionin ushtarak, por vijon të theksojë se prioritet mbetet zgjidhja përmes dialogut diplomatik.