Sadushi e nxori lëkurën në shitje, por duket se nuk ia bleu askush

Gjykata e Lartë, për vendimin "unifikues", mori shkas nga një ankimim i Prokurorisë ndaj një mase arresti të ndryshuar në Apel.

Apeli e kishte ndërruar "arrestin me burg" me "arrest në shtëpi". Gjykata e Lartë ka pasur me dhjetëra raste kur mund të jepte vendim për të ndryshuar masën e "arrestit me burg".

Nuk e ka bërë asnjëherë! Ka lënë në fuqi arrestin me burg siç është kërkuar nga prokuroritë. U investua kësaj radhe për një rast kur masa ishte ndryshuar nga Apeli.

Kryetari i Gjykatës së Lartë nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë të drejten për të thirrur Kolegjet për asnjë çështje. As penale, as administrative (i thotë vetes profesor i Administratives) dhe as civile.

Megjithëse sistemi i ri i jep detyrë parësore Gjykatës së Lartë që të unifikojë sa më shumë praktikat gjyqësore, kryetar Sadushi nuk u ngrit dot asnjëherë në nivelin e kërkuar nga reforma që gatoi vetë.

Nuk e ka përdorur në asnjë rast tjetër të drejtën për të marrë nismën për unifikim të praktikës gjyqësore.

U frymëzua vetëm nga rasti kur vendimi i arrestit ishte ndryshuar në Apel dhe mendoi të unifikojë sipas administrativllëkut të vet.

Gjykata e Lartë "saktësoi" me vendim se si duhet lexuar dhe zbatuar ligji. Nuk shfuqizoi asnjë vendim. Thjesht shtoi 3 paragrafë në një vendim ekzistues.

E bukura është që vendimi ishte me unanimitet.

Domethënë, me këtë vendim kanë qenë dakord edhe pjesa e Kolegjit Penal të Gjykatësve së Lartë që kanë dhënë vendime të kundërta me vendimin unanim për rastin "Bektashi".

Po pse paska lindur nevoja e unifikimit kur Sadushit i erdhi në derë rasti "Bektashi", aq më shumë kur Bektashit, masa e arrestit i ishte ndryshuar nga Apeli?

Gjykata e Lartë ka lënë masivisht në fuqi vendime paraburgimi.

Është e vështirë të besohet që asnjë nga të ndaluarit që kanë ankimuar masën e arrestit me burg, përpara se Apeli të ndryshonte masën për Bektashin, nuk paskan pasur argumente në favor të vetes.

Por nëse është kështu, atëherë në ato raste kur Gjykata e Lartë nuk ka ndryshuar vendimet e arresteve, mund të themi që si Gjykatat më të ulëta ashtu edhe Prokuroria, paskan vepruar korrekt. Si Prokuroria ashtu edhe gjykatat më të ulëta paskan vendosur në përputhje me këtë unifikimin që Sadushi na e shpalli.

Sokol Sadushi nuk ka më kohë të përdorë të drejtën e vet si kryetar për të thirrur Kolegjet për unifikim të praktikës për ndonjë çështje tjetër.

Në historinë e vet si kryetar i Gjykatës së Lartë do të hyjë si kryetari që thirri kolegjet për të zgjidhur një rast që ishte zgjidhur nga Apeli.

Do të mbetet në histori edhe si kryetari që shiti si ulje stoku, thesin me stokun që ua ngjeshi gjykatave më të ulëta. Respektivisht, edhe bashkëshortes së tij në Gjykatën Administrative!

Sepse kryetari i Gjykateës së Lartë mburret gjithashtu shumë se ka ulur stokun.

Por, në fakt, Gjykata e Lartë masivisht kthen çështjet për rishqyrtim në gjykatat më të ulëta.

Është sikur të thuash që burri në Gjykatë të Lartë e heq punën nga vetja dhe ia shton bashkëshortes në Gjykatë të Apelit Administrativ.

Për ironi Sadushi vetë është administrativist!

Ky është leksioni që profesori i Administratives do t'u shpjegojë studentëve, duke u demonstruar "konkretisht" se si ulet stoku.

Tani i duhet thjesht të gjejë shumë budallenj që ta besojnë se e meriton të bëhet edhe President që të zgjerojë "vërën" (kështu i thonë vrimës nga anët e Sadushit), që bëri në Gjykatën e Lartë. /CNA