Ekspozita e peisazheve/ Përvathi: Kur bëra bilancin e punimeve të vitit, kisha mjaftueshëm për një galeri dhe e hapa në Tiranë
I ftuar në studion e emisionit “Ora e Betit”, piktori Pashk Përvathi ka folur për ekspozitën e tij të fundit në Tiranë, e ndërtuar mbi një vit të plotë pune me peizazhe nga veriu në jug të Shqipërisë.
Ai tregon se ekspozita erdhi pas një bilanci të krijimtarisë së vitit, ku përzgjodhi punimet më përfaqësuese për t’i sjellë në një ekspozim të vetëm.
“Kur bëra bilancin e punimeve të vitit, pashë që kisha mjaft për një ekspozitë të plotë dhe vendosa ta hap në Tiranë.”- tha Përvathi.
Rrugëtimi i tij artistik lidhet ngushtë me natyrën shqiptare, duke e kthyer pikturën edhe në një formë promovimi për vendin. Ai kujton se një moment i rëndësishëm për piktorët ishte viti 2007, kur kolonitë e artit ndihmuan në organizimin dhe orientimin e tyre drejt peizazhit.
Që nga ajo kohë, ai është rikthyer vazhdimisht në të njëjtat vende, duke kërkuar kënde të reja dhe momente të ndryshme gjatë ditës. Në këtë ekspozitë ka sjellë edhe elemente të reja, si ngjyrat e pranverës, perëndimet e diellit dhe netët me hënë.
Përvathi ndalet edhe te përvoja e kolonive artistike, si ajo në Kalabri, që i konsideron një shkollë të rëndësishme për zhvillimin e piktorëve dhe rritjen e cilësisë së punës.
Në planin personal, ai tregon se vendimi për t’iu përkushtuar vetëm artit erdhi në vitin 1994, kur humbi vendin e punës dhe zgjodhi të vazhdonte vetëm me pikturë.
“Vendosa të mos kërkoj më punë në shtet dhe vetëm kam pikturuar. Ia kam dalë dhe kam adhurues në gjithë Shqipërinë.”- u shpreh piktori.
Ai shpjegon edhe pse sot shqiptarët blejnë art, duke e lidhur me një traditë të krijuar pas viteve ’90, kur shumë familje trashëguan piktura në shtëpitë e tyre.
Sipas tij, kjo ka ndikuar në krijimin e një kulture që e mban gjallë tregun e artit në vend.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT":

