"Berisha i vetëm në garë"/ Hysa: Opozita përballet me rrezikun e vetëizolimit politik
E ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News ishte gazetarja Dafina Hysa, e cila komentoi zhvillimet brenda Partisë Demokratike dhe procesin zgjedhor për drejtimin e saj.
Ajo u ndal te fakti që gara për kreun e PD-së zhvillohet me Sali Berishën si kandidat të vetëm, duke ngritur diskutime mbi mungesën e konkurrencës së brendshme dhe ndikimin që kjo ka në imazhin e opozitës.
“Kur një parti kryesore opozitare zhvillon një proces me një kandidat të vetëm, debati i brendshëm humbet peshë dhe procesi duket më shumë si rikonfirmim sesa garë reale.”-tha Hysa.
Ajo shtoi se situata aktuale vjen në një moment kur pritshmëritë e publikut ndaj opozitës janë të larta, për shkak të problemeve të shumta sociale dhe ekonomike.
“Elektorati nuk kërkon vetëm denoncim të qeverisë, por edhe një alternativë konkrete dhe të besueshme. Pa këtë, rreziku është që një pjesë e qytetarëve të largohet nga procesi zgjedhor.”- shtoi ajo.
Gjatë diskutimit u theksua gjithashtu se mungesa e garës së brendshme dhe përplasjet politike brenda partive mund të ndikojnë në dobësimin e rolit të opozitës si alternativë qeverisëse.
Në analizë u vu në dukje se sfida kryesore për Partinë Demokratike mbetet kalimi nga retorika e denoncimit drejt ndërtimit të një programi politik që ofron besim dhe alternativë për qytetarët.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

