"Jo thjesht politikë"/ Berisha vijon thirrjet për protestën e 8 majit: Do jetë për familjen, fëmijët dhe të ardhmen

Sali Berisha ka bërë thirrje për një protestë të madhe më 8 maj, gjatë një fjalimi para Kryeministrisë, duke e cilësuar këtë datë si një moment të rëndësishëm për qytetarët.
Ai e përshkroi protestën si një reagim të gjerë qytetar, që sipas tij shkon përtej politikës dhe partive. Sipas tij, 8 maji do të jetë një protestë për familjen, për fëmijët, për sigurinë dhe për të ardhmen.
Në fjalën e tij, Berisha foli për situatën në vend, duke e lidhur atë me ndikimin e krimit dhe drogës në institucione dhe në ekonomi.
Ai u shpreh se kjo ka sjellë pasoja të rënda për jetën e përditshme të qytetarëve.
Berisha bëri edhe akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si, sipas tij, funksionon drejtësia dhe trajtohen qytetarët në raport me ligjin.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 8 majit, duke e cilësuar atë si një reagim për dinjitetin dhe të ardhmen e vendit.
FJALA E PLOTË E SALI BERISHËS:
Të dashur miq, ne mblidhemi sot në këtë shesh në prag të datës 8 maj, datës së kryengritjes tonë paqësore.
8 maji është data e protestës tonë të madhe.
Është data e revoltës.
Por, protesta e datës 8 maj do të jetë një protestë si asnjëherë më parë.
Pasojat e 13 viteve të narkoshtetit, ku krimi dhe droga kontrollojnë pothuajse çdo aspekt të jetës.
Ku krimi dhe droga kontrollojnë shtetin.
Ku paratë e drogës kontrollojnë ekonominë.
Ku mediat kryesore kombëtare të kontrolluara të vendit janë shndërruar në altoparlantë të Edi Ramës, organe të mashtrimit dhe manipulimit të qytetarëve, organe të korruptimit të gjuhës tonë të bukur, gjuhës shqipe.
Ku antikultura e drogës dhe krimit po mbivendosen mbi traditat tona të hershme të mrekullueshme.
Të gjitha këto kanë vendosur shoqërinë shqiptare në një prej situatave më kërcënuese në historinë e vendit, me pasoja të tmerrshme që i jetojmë çdo ditë.
Prandaj protesta e 8 majit nuk do jetë një protestë politike.
Nuk do jetë një protestë e një apo disa partive.
Protesta e 8 majit nuk do jetë protestë për një kauzë.
8 maji do të jetë kushtrimi i ndërgjegjes së shqiptarëve.
Do të jetë protestë për dinjitetin e shqiptarëve.
Do të jetë protestë për familjen, për vogëlushët tanë, për jetën, sigurinë dhe të ardhmen e tyre.
Sonte unë kam një thirrje për çdo shqiptar.
Për 13 vite, Edi Rama ka poshtëruar shqiptarët, i ka burgosur ata për fatura dritash, për një dozë kanabis për konsum vetjak, tani edhe për parkim të gabuar do burgosen.
Por kur drejtësia kërkoi arrestimin e Lubi Ballukut, që së bashku me Edi Ramën kanë vjedhur qindra e qindra milionë para tuajat siç u faktua në aferën e 50 milionë eurove vetëm në tunelin e Llogarasë.
Siç u faktua me çmimet e shumëfishta të rrugëve më të larta se sa në BE.
Edi Rama dhe Lubia nuk shkuan në burg, ashtu siç shkojnë qytetarët, ashtu si baballarët për faturën e dritave.
Edi Rama dhe Lubia nuk shkuan në burg ashtu si bijtë tuaj vetëm e vetëm pse dalin të protestojnë.
Por Edi Rama dhe Lubia përdorën 83 mandatet e parlamentit të krimit për të mbrojtur veten e tij, për të ndaluar drejtësinë, një akt i padëgjuar dhe i paimagjinuar në 34 vite pluralizëm politik.
Një akt i cili i kushtoi Shqipërisë kërcënim serioz për ëndrrën më të pavdekshme të saj, ëndrrën evropiane.

