Met Bega, buzëqeshja që na mëkoi të qeshura dhe na mësoi të jetojmë me humorin
Në galerinë e artit shqiptar, ka disa portrete që nuk kanë nevojë për korniza apo solemnitete për t’u mbajtur mend, ato mjafton t'i kujtosh dhe të vjen vetiu një buzëqeshje në fytyrë dhe njëherësh një dhimbje malli të kaplon për ikjen e parakohshme, për jetën e përkorë që bëri, për kujtesën që la.
Një nga këto portrete është padyshim ai i Met Begës, mjeshtrit të madh të humorit, i cili me thjeshtësinë e tij sublime arriti të futej në çdo shtëpi shqiptare, duke u bërë pjesë e pandashme e gëzimeve tona.
Sot, ndërsa koha ecën, nostalgjia për figurat e tilla sa vjen e rritet. Faqja "Aktorët shqiptarë" kanë publikuar disa foto me personazhet e Estradës së Tiranës, me citimin:
"Kujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta, aktorin e madh të humorit Met Bega."
Met Bega nuk ishte thjesht një aktor, ai ishte personifikimi i Tiranës qytetare, i atij humori të hollë, të pastër dhe shpeshherë vetë-ironik. Ai nuk kishte nevojë për skenarë të ndërlikuar apo efekte speciale për të bërë publikun të shpërthente në të qeshura. Atij i mjaftonte një mimikë, një lëvizje e duarve apo një batutë e thënë me atë timbrin e tij karakteristik.
Kur flasim për Met Begën, mendja na shkon menjëherë te skena e Estradës së Tiranës. Ai ishte një nga kolonat kryesore të asaj trupe që, në vitet më të vështira të izolimit, shërbeu si një dritare oksigjeni për shqiptarët. Personazhet e tij ishin njerëz të thjeshtë, fqinji i lagjes, njeriu i punës, qytetari i zakonshëm, komandanti, tipa dhe karaktere, identitete dhe mimika, të cilët ai i trajtonte me një dashuri dhe vërtetësi që i bënte të pavdekshëm.
Ai nuk aktronte humorin, ai e jetonte atë. Çdo rol i tij ndihej organik, ndihej si një marrëdhënie simbiotike që merrte jetë përmes atij origjinaliteti dhe thjeshtësie unike.
Batutat e tij dëgjohen sot me të njëjtën këndshmëri si dekada më parë.
Pavarësisht famës, ai mbeti "Met Bega i Tiranës", njeriu i dashur dhe i afërt me të gjithë.
Ndarja nga jeta e një artisti si ai la një boshllëk të madh, por siç na kujtojnë edhe fotografitë e fundit të publikuara nga arkivat e teatrit, artistët e përmasave të tij nuk ikin kurrë vërtet. Ata mbeten aty, në celuloidin e filmave, në regjistrimet e vjetra të emisioneve të Vitit të Ri dhe në kujtesën kolektive të një kombi që ka aq shumë nevojë për të qeshur.
Met Bega na mësoi se humori është mjeti më i fuqishëm për të përballuar jetën. Sot, në këtë përvjetor, ne nuk mbajmë zi, por festojmë jetën e tij duke kujtuar atë që ai na dha më së miri, të qeshurën pa kushte.
Për ta sjellë në kujtesë, sa më të plotë këtë personazh, duhet të kthejmë sytë nga galeria e pasur e tipave dhe karaktereve që ai gdhendi me aq mjeshtëri dhe vërtetësi. Rolet e Met Begës nuk ishin thjesht numra humori, ato ishin skanerë socialë të jetës shqiptare, të sjellë me një plasticitet interpretues që rrallëherë shihet në skenë.
Nëse Estrada e Tiranës ishte tempulli i tij, rolet ishin meshat e gëzimit që ai ndante me publikun. Met Bega nuk "luante" personazhin; ai transformohej, duke u dhënë jetë figurave që sot konsiderohen ikonike.
Qytetari Tiranas ishte ndoshta roli i tij më organik. Ai solli në skenë dialektin e ëmbël, maturinë dhe ironinë e hollë të kryeqytetasit, duke e mbrojtur këtë figurë nga karikaturizimi i tepërt dhe duke i dhënë dinjitet komik.
Gjithashtu, sportdashësi dhe "komentatori", siç u përmend, interpretimet e tij si tifozi i përbetuar mbeten ndër më të dashurat. Ai arriti të kapte psikologjinë e stadiumit, ankthin e minutave të fundit dhe euforinë e golit, duke i kthyer këto momente në monologje që recitohen edhe sot nga adhuruesit e futbollit.
Rolet në kinematografi janë pjesë e këtij portreti. Edhe pse misioni i tij parësor ishte skena e gjallë, në filma si "Stolat në park" apo "Edhe kështu, edhe ashtu", ai dëshmoi se humori i tij mund të ishte po aq efikas edhe para kameras. Ai kishte aftësinë unike për të vjedhur vëmendjen edhe në role episodike, duke i kthyer ato në pika kulminante të filmit.
Energjia që krijonte në skeçe me emra si Skënder Sallaku apo Arben Shaka, ikonike janë bashkëpunimet me Marjana Kondin, krijoi standarde të reja për teatrin e varietesë. Ai ishte "partneri perfekt", i cili dinte kur të mbante peshën e batutës dhe kur t'i linte hapësirë tjetrit për të shkëlqyer.
Met Bega u nda nga jeta fizikish, por ai mbetet gjallë në çdo të qeshur që shpërthen kur shohim arkivat e tij. Ai e mbylli siparin e jetës duke na lënë pas një pasuri të çmuar, kujtimin e një njeriu që e deshi jetën dhe që na mësoi ta shohim atë përmes thjerrëzës së optimizmit.
Tiranës sot nuk i mungon vetëm ai burri shtatshkurtër, ajo e qeshur unike, ato prani plastike dhe pantomimash, por njeriu që jetoi në këtë qytet thjeshtësisht dhe pa privilegje, ai që u në sinonim i Tiranës.

