Mark Twain, anatomisti i shpirtit njerëzor, ai që përdori ironinë si bisturi për të çarë hipokrizinë, vetëkënaqësinë dhe iluzionet

Mark Twain është nga ata autorë që i përkasin përjetësisë përmes veprave të tyre, dhe është çfarë ai skaliti me mendim dhe shpirt ajo që ai na mësojnë të shohim veten, po, një vetvete më të vërtetë sesa jemi rrekur ta shpërfaqim atë. Ai nuk ishte thjesht një shkrimtar i madh, por një anatomist i shpirtit njerëzor, një ironist i përkryer që e përdori humorin si bisturi për të çarë hipokrizinë, vetëkënaqësinë dhe iluzionet tona më të dashura.

Letërsia e tij është ngulitur tek ne përmes aventurave të pazakonta fëmijësh, të cilat në thelb mëkojnë një nevojë për liri dhe eksplorim, një ngulm për të sfiduar përmes asaj që gjithë të tjerët rreken ta vrasin duke e mbajtur nën një trysni mbytëse. Humori i tij i hollë, aventurat e personazheve fëmijë, ajo filozofi e çliruar nga çdo kompleks dhe shtirje, tejdukshmëria e shpërfaqjes së një shpirti që nis të kumtojë përmes zemrës dhe pafajësisë së një fëmijë që duke gabuar mëson për jetën dhe për njerëzit, për kohën dhe mënyrën se si duhet të ngrihen tempujt e madhështive njerëzore dhe se si realiteti dhe çiltërsia për të sfiduar duhet të ndeshen me hipokrizinë dhe llojshmërinë e maskave, pas së cilave mbrohen jo vetëm njerëzit, por edhe shpirtja e tyre.

Për ta lexuar më thellë dhe parë me një fokus më të gjerë, i qasemi veprës së tij, por në veçanti maksimave, ku mbruhet fshihet një filozofi e tërë mbi natyrën e njeriut, një filozofi që nuk e kërkon të vërtetën në qiell, por në sjelljen tonë të përditshme, në dobësitë, kontradiktat dhe paradokset që na përbëjnë.

“Le të përpiqemi të jetojmë në atë mënyrë që kur të vdesim të brengoset edhe varrmihësi.” Kjo nuk është thjesht një thirrje për të qenë të mirë, është një kërkesë për autenticitet. Twain nuk flet për famë, as për lavdi, por për një jetë që lë gjurmë në ndërgjegjen e tjetrit, qoftë edhe tek ai që ka për detyrë të mbyllë kapitullin tonë të fundit. Këtu matet pesha e ekzistencës, jo nga monumentet që ngremë, por nga mungesa që lëmë pas.

Sipas Mark Twain: “Nëse merr një qen të uritur dhe e ushqen mirë, ai nuk do të të kafshojë. Ky është ndryshimi themelor midis qenve dhe njerëzve.” Këtu ironia bëhet akuzë, dhe ai shquhet përmes kësaj përkatësie. Njeriu, që pretendon epërsi morale, shpesh rezulton më pak besnik se kafsha. Twain e përmbys hierarkinë tradicionale, instinkti i kafshës është më i ndershëm se ndërgjegjja e njeriut. Dhe në këtë përmbysje, ai na detyron të pyesim, a është qytetërimi një ngritje, apo një maskim më i rafinuar i egoizmit?

Për të “Është më mirë të heshtësh dhe të konsiderohesh budalla sesa të hapësh gojën dhe të heqësh çdo dyshim.”... se je i tillë.

“Njeriu është e vetmja kafshë që skuqet, por është e vetmja që ka nevojë për të.”, shtoi ai. Turpi është prova e vetëdijes morale. Por fakti që njeriu ka nevojë të skuqet tregon se ai është i vetmi që e tejkalon vazhdimisht kufirin. Twain e sheh turpin si një korrigjim të domosdoshëm për një krijesë që ka aftësinë, por edhe prirjen për të gabuar.

Për Mark Twain, “Secili prej nesh është një hënë dhe ka një anë të errët që nuk ia tregon askujt.”

Kjo është ndoshta një nga metaforat më të bukura dhe më të sakta për natyrën njerëzore. Ne jemi të dyfishtë, ajo që shfaqim dhe ajo që fshehim. Dhe shpesh, ajo që fshehim është më e vërtetë se ajo që tregojmë.

Twain në të qenin i thellë, i drejtpërdrejtë dhe pamëshirshëm shprehet se: “Gjithçka që na nevojitet… është injoranca dhe besimi; dhe suksesi është i garantuar.”

Sarkazma këtu është e ashpër. Twain tallet me mekanizmat e suksesit në shoqëri, ku shpesh mungesa e dijes kombinohet me bindjen e verbër për të prodhuar rezultate.

Duke vijuar me tipiken e asaj që ai shpreh në mënyrë alegorike, shkrimtari përkufizon se: “Kur të kuptoni se jeni në anën e shumicës, dijeni se është koha për një ndryshim.” Kjo është një thirrje për individualitet dhe për rezistencë ndaj konformizmit. Shumica nuk është garanci për të vërtetën, shpesh është vetëm prova e zakonshmërisë.

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të Mark Twain, këto maksima nuk tingëllojnë si jehonë e një kohe të shkuar, por si diagnozë e një sëmundjeje që vazhdon. Ai nuk na ofron ngushëllim, ai na ofron qartësi. Dhe ndoshta ky është homazhi më i ndershëm që mund t’i bëjmë: të pranojmë se, përtej kohës së tij, Twain vazhdon të na lexojë më mirë se sa ne lexojmë veten.