“Nëna dhe fëmijët”, ikona e shenjtë e amësisë, që pikon nga qielli i penelit të Friedrich von Amerling
Në historinë e artit europian të shekullit XIX, pak vepra arrijnë të përçojnë me kaq përunjësi dhe madhështi një ndjenjë sa tokësore aq dhe qiellore, siç bën “Nëna dhe fëmijët” e piktorit Friedrich von Amerling.
Kjo tablo nuk është thjesht një kompozim i bukur, ajo është një panteon i përkushtimit amnor, një testament piktorik ku përmes dritës, trupit dhe ngjyrës, nëna shndërrohet në ikonë.
Amerling, një nga emrat më të rëndësishëm të Biedermeierit austriak, gërsheton me mjeshtëri teknikën akademike me shpirtin romantik. Në këtë vepër, ai nuk përpiqet të krijojë një nënë të idealizuar në distancë, përkundrazi, ai e afron atë te spektatori me gjithë përkryerjen e saj njerëzore. Në përputhje me mendimin e filozofit gjerman Friedrich Schleiermacher, i cili e shihte artin si përshpirtje ndijore, Amerling krijon një lutje vizuale përmes çdo nuancimi, çdo prekjeje.
Kompozimi i veprës është një trinitet dashurie, nëna në qendër, fëmijët si zgjatime të shpirtit të saj. Foshnja në gji mishëron dhënien pa kushte, vajza e vogël e përqafuar pas brezit është butësia që kërkon prehje, ndërsa djali mbi supe përfaqëson lidhjen e thellë shpirtërore që kalon përmes syve dhe frymës. Shikimi i nënës është i kthyer përtej pamjes, ajo shikon më larg, ndoshta të ardhmen, ndoshta sakrificat që ende nuk kanë ardhur, të cilat i sfidon me shpirtin e misionit.
Ngjyrat janë të ngrohta, të qarta, të gjalla dhe të kjellëta. E kuqja e mantelit sjell pasionin e sakrificës, ndërsa e bardha e gjoksit zbuluar është pastërtia e një misioni të shenjtë. Nëna këtu është gjithçka, trup dhe shenjtëri, prekje dhe lutje. Në frymën e ikonografisë së lashtë bizantine, ku nëna e Perëndisë paraqitet gjithnjë në një marrëdhënie simbiotike me fëmijën, Amerling i jep amësisë një karakter të shenjtëruar pa përdorur elementë fetarë. E përditshmja ngrihet në të përjetshmen, zakonshmëria në eternen, e freymshmja në të pafundmen.
Një ndër ndikimet e lexueshme në veprën e Amerlingut është piktura italiane e Rilindjes, ku nëna, sidomos në figurën e Madonës, është simbol i mëshirës, por këtu ajo del nga korniza fetare dhe hyn në botën e njeriut të zakonshëm, duke ruajtur gjithsesi atë aureolë që rrjedh jo nga shenjtorja, por nga dashuria.
Siç shkruante André Malraux, "Arti nuk riprodhon të dukshmen, por bën të dukshme atë që nuk shihet". Këtë bën Amerling, ai i jep trup një ndjenje që nuk matet në përmasa, por ndjehet deri në palcë, dashurinë e nënës.
“Nëna dhe fëmijët” është, më së shumti, një shprehje e ndjeshme e përjetësisë. Ajo nuk flet vetëm për një kohë të caktuar apo për një realitet familjar të caktuar, por ngjall një emocion universal që çdo qenie njerëzore e njeh, prehjen e parë, aromën e parë, zërin e parë që të mëson dashurinë. Dhe kjo tablo, si një himn i hirit të hyjtë, mbetet një nga himnet më të bukura që arti i ka kënduar nënës si shenjtore e jetës.
Përgatiti: Albert Vataj

