Aksidenti tragjik në Durrës/ Koçibellinj: Dështim i sistemit për sigurinë e fëmijëve, kemi të gjithë bashkëfajësi

Një ngjarje tragjike ka tronditur thellësisht vendin, duke shkaktuar një dhimbje që fjalët e kanë të vështirë ta përshkruajnë.

Në një ditë me diell, ndërsa disa fëmijë po shijonin lojën dhe lirinë larg botës virtuale, jeta e tyre u ndërpre në mënyrë të parakohshme.

Për çdo prind, lajmi goditi si një makth, duke parë te viktimat e pafajshme fëmijët e tyre, të cilët i inkurajojnë çdo ditë të jetojnë fëmijërinë e tyre aktive dhe të lumtur.

Aktivistja, Suela Koçibellinj, e ftuar në studion e lajmeve në "Ora news", u shpreh se strukturat përgjegjëse për sigurinë rrugore, të cilat financohen nga taksat e qytetarëve, kanë dështuar në misionin e tyre themelor. Sistemi që duhej të garantonte siguri në rrugë dhe hapësira të mbrojtura për fëmijët, në këtë rast, u bë dëshmi e një zinxhiri të tërë neglizhence. 

" Së pari është një situatë ku fjalët ose duhet të ulërasin, ose duhet të qajmë të gjithë me lot për çka ka ndodhur.

Kur dëgjova lajmin dje, besoj që si çdo prind na u na u dridh zemra, po na u dridh, na u shkund zemra, sepse tek ata fëmijë besoj të gjithë ne pamë potencialisht fëmijët tanë. Fëmijët tanë që ne mundohemi t'i lusim që të dalin jashtë, që të shkëputen nga mediat sociale, të shkëputen nga kjo bota e errët e internetit dhe të lozin, të vrapojnë, të kenë biçikleta, të kenë topa, pra, të ndërveprojnë atë aktivitetin fizik të bukur.

Edhe dje e diel e bukur, diell kishte. Dhe në këtë cikël që është krejt fëminor dhe krejt i pastër dhe krejt i bukur,  ne i morëm jetën fëmijëve.

Tani kush ja mori jetën fëmijëve? Sigurisht që dora e drejtpërdrejtë ishte dora e këtij njeriu të papërgjegjshëm i cili u la të ishte i papërgjegjshëm për gjithë këtë kohë derisa bëri gjëmën.

Pra, në këtë pikë të gjithë ne nga pak, këtu edhe unë. Megjithëse nuk kam asnjë lidhje me zotërinë, ndoshta dhe me lagjen fare. Të gjithë ne që ndoshta nuk po ulërasim kaq sa duhet kur vjen puna te garancia e jetës së fëmijëve tanë, te garancia e të drejtave për mirëqenie tek fëmijët tanë, tek ajo që ne e kemi për detyrë kushtetuese dhe morale për të garantuar fëmijët tanë, për të pasur një fëmijëri të sigurt dhe të shëndetshme, këtu kemi të gjithë ne bashkëfajësinë tonë.

E ndërkohë, patjetër, kur vjen puna tek siguria rrugore, ne kemi edhe institucione të cilat i paguajmë? Kemi edhe struktura që i paguajmë pikërisht për të na garantuar këtë lloj sigurie në rrugë, apo për të na bërë parqe për fëmijët dhe ja ku është i gjithë sistemi, i cili ka bashkëfajësinë e vet, dhe që sot nuk mundet thjesht të thotë na vjen keq, sepse nuk kemi as fjalë të ngushëllojmë anëtarët e familjeve të këtyre fëmijëve", u shpreh aktivistja.

Ndiqni intervistën e plotë: