Fituesja e Nobelit për Paqen, Narges Mohammadi, në gjendje të rëndë shëndetësore, shtrihet me urgjencë në spital në Iran

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, 54 vjeç, është shtruar me urgjencë në një spital në qytetin Zanjan të Iranit, pas një përkeqësimi të gjendjes së saj shëndetësore.

Sipas familjes dhe fondacionit që mban emrin e saj, ajo ndodhet në gjendje të rëndë dhe rrezikon jetën. Aktivistja për të drejtat e njeriut është e burgosur në Iran dhe ka pasur probleme të vazhdueshme shëndetësore gjatë muajve të fundit.

Ajo dyshohet se ka kaluar disa episode të humbjes së ndjenjave dhe një krizë kardiake. Mjekët e burgut nuk kanë mundur të ofrojnë trajtimin e nevojshëm, duke çuar në transferimin e saj në spital.

Familjarët thonë se kërkesa për ta dërguar në Teheran për trajtim më të specializuar nuk është pranuar ende nga autoritetet iraniane.

Komiteti Nobel në Norvegji ka bërë thirrje që asaj t’i garantohet menjëherë trajtimi mjekësor, duke kujtuar se ajo është burgosur për aktivitetin e saj paqësor dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023, ndërsa ka qenë një nga figurat më të njohura të opozitës civile në Iran, sidomos pas protestave të vitit 2022.