Donald Trump në rënie në sondazhe/ 62% e amerikanëve nuk e miratojnë, ekonomia dhe Irani pikat më të dobëta

Sondazhet e fundit tregojnë një rënie të mbështetjes për Donald Trump, vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Sipas një ankete të realizuar nga Washington Post, ABC News dhe Ipsos, rreth 62% e amerikanëve nuk e miratojnë punën e tij si president, duke shënuar një nivel të lartë pakënaqësie gjatë mandatit.
Në lidhje me politikën ndaj Iranit, 66% e të anketuarve nuk e mbështesin mënyrën e menaxhimit të situatës, ndërsa 33% shprehen në favor. Edhe ekonomia shihet si një pikë e dobët, me vetëm 34% që e miratojnë punën e tij, një rënie prej 7 pikësh.
Sa i përket inflacionit, mbështetja bie në 27%, ndërsa për koston e jetesës vetëm 23% e qytetarëve e vlerësojnë pozitivisht, përballë 76% që shprehen kundër.
Në total, niveli i mbështetjes për Trump është 37%, më i ulët krahasuar me muajin shkurt.

