Dy ushtarë amerikanë zhduken gjatë stërvitjeve në Marok, nis operacioni i madh kërkim-shpëtimi

Dy anëtarë të ushtrisë amerikane janë raportuar të zhdukur në jugperëndim të Maroku, gjatë pjesëmarrjes në stërvitjen ushtarake shumëkombëshe “Luani Afrikan”.

Sipas Komandës së Afrikës së ushtrisë amerikane (Africom), kërkimet për ushtarët po zhvillohen në bashkëpunim me forcat e SHBA, Marokut dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse në stërvitje.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën pranë zonës ushtarake Cap Draa, në afërsi të Tan Tan, përgjatë bregdetit të Oqeanit Atlantik. Nuk dihen ende rrethanat e sakta të zhdukjes së tyre.

Stërvitja “Luani Afrikan” ka nisur në prill dhe po zhvillohet në disa vende afrikane, përfshirë Marokun, Tunizinë, Ganën dhe Senegalin. Ajo pritet të përfundojë në fillim të majit.

Ky është një nga ushtrimet më të mëdha ushtarake vjetore të SHBA-së në Afrikë, që zhvillohet prej vitit 2004 dhe përfshin forca amerikane dhe aleatë të tyre afrikanë.