FOTO+VIDEO/ Plarent Ndreca, si heroi i 99-çave të Rilindjes
Dy ditë më parë, një lajm pushtoi mediat. Plarent Ndreca, avokati i Erion Veliajt dhe i pandehur nga SPAK-u për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, nuk kishte shkuar në gjyqin e tij, por kishte zgjedhur të shkonte në gjyqin e Erion Veliajt dhe GJKKO te seanca gjyqësore që zhvillohej me Plarent Ndrecën të pandehur, kishte vendosur një avokat kryesisht.
Ndoshta propagandistike, ironike, por përtej qëndrimeve ligjore, duket edhe politike.
Politike, sepse të kujton filmin “Oktapodi” të realizuar nga RTSH-ja në vitin 1997 me një kast aktorësh të mrekullueshëm si Aleko Prodani, Cekja, Fadil Hasa, Mehdi Malkaj, Kosta Kamberi, ku një zyrtar i sigurimit të asaj kohe, i cili paraqitet me të njëjtën fytyrë për të treguar hierarkinë e një sistemi diktatorial që nga oficeri më i ulët deri te drejtuesi më i lartë në atë kohë i Ministrisë së Brendshme, zbulon një grup armiqësor.

Shërbëtori më i zellshëm që kishte shpikur këtë grup armiqësor për të bërë planin e burgosjeve, në fund prangoset vetë. Prangoset nga një oficer me të njëjtën fytyrë duke i kujtuar fjalinë “Pse ti dhe unë nuk i bënim 10 vjet burg për partinë?”
(Sekuencë e shkëputur nga filmi "Oktapodi", realizuar në RTSH)
Ndoshta Plarent Ndreca ka zgjedhur të dënohet vetë, mjafton të shpëtojë Erion Veliajn. Të sakrifikojë për partinë e 99-çave nga vjen Plarent Ndreca, më pas e implementuar brenda Rilindjes së Edi Ramës.
Ndreca nuk shkoi në gjyqin e tij, dhe iu vendos një avokat kryesisht, atje ku ishte i pandehur, ku ka hallin e tij, por shkoi te gjyqi ku ka hallin Veliaj. Zgjodhi të ishte te gjyqi i “atit të tij” shpirtëror, tek ai që e frymëzon, që e mbron, tek ai që e ka futur në politikë, e ka mbështetur, e ka pasur në listë të kandidatëve si 99-ç, pastaj e ka përfshirë në listat e Këshillave Bashkiakë apo si deputet të Rilindjes dhe Ndreca këtë na tha.
Fiks atë mesazh që është dhënë te filmi “Oktapodi”, 30 vite më parë, ku mesazhi është i qartë, sakrifikojnë për partinë.
Kështu po sakrifikon Plarent Ndreca dhe veten e tij, e sakrifikoi gjyqin e tij ku është i pandehur, nuk shkoi, dhe shkoi te gjyqi i Erion Veliajt.
Ndoshta Plarenti ka zgjedhur të bëjë burg për partinë, ndoshta ka zgjedhur të shpëtojë Veliajn, ndoshta ka zgjedhur që prioritet të jetë udhëheqja.
Gjithsesi, 99-çat një fytyrë kanë: e ka emrin Plarent, e ka emrin Erion, të dy bashkë janë të pandehur, por Plarenti zgjedh të sakrifikojë më shumë se Erioni, se ky i fundit ndodhet në qelitë e burgut të Durrësit./ CNA

