Zgjedhjet për kreun e PD, Sali Berisha i vetëm në garë
Sali Berisha nuk do të ketë asnjë kundërshtar në zgjedhjet për të caktuar kryetarin e Partisë Demokratike.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD nuk ka miratuar kandidaturat e dy personave të tjerë që kishin aplikuar, zonjës Mereme Sela dhe zotit Vladimir Mulaj.
Ndërsa Berisha, sipas komisionit plotëson të gjitha kriteret statutore, kjo nuk ka vlejtur për dy kandidatët e tjerë.
Të dy, Sela dhe Mulaj, pavarësisht se janë anëtare të PD, nuk plotësojnë kriterin e figurës me profil shumë të lartë publik dhe politik, si dhe atë të eksperiencës drejtuese elektorale në nivel kombëtar apo rajonal.
Një ditë më parë, për garën aplikoi edhe ish-deputeti i PD, Ervin Salianji dhe aktivistja Evi Kokalari, por kandidaturat e tyre nuk janë pranuar nga komisioni, me arsyetimin se nuk janë bërë nga anëtarë të PD.
