Shembulli i Greqisë, Demiri: Thelbësore të kuptohet dallimi mes internetit dhe rrjeteve sociale

Në një lëvizje të rëndësishme për mbrojtjen e të miturve, Greqia ka njoftuar një ligj të ri që do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç.

Duke filluar nga 1 janari 2027, hapja e llogarive të reja për këtë grupmoshë do të jetë e pamundur, një masë që pason shembullin e vendeve si Australia.

Për ekspertin e IT-së, Erion Demiri, ky vendim konsiderohet një hap pozitiv dhe i nevojshëm për t'iu dërguar një mesazh të qartë familjeve dhe shoqërisë: fëmijët në këtë fazë të jetës nuk kanë nevojë për ekspozim ndaj platformave sociale.

Edhe pse mundësitë teknike për të anashkaluar rregullat mund të vazhdojnë të ekzistojnë, vështirësitë e shtuara dhe mesazhi i fuqishëm ligjor pritet të dekurajojnë përdorimin masiv.

Në një diskutim mbi këtë problematikë në “Ora News”, Demiri theksoi se është thelbësore të kuptohet dallimi mes internetit, si një burim i gjerë informacioni dhe rrjeteve sociale, të cilat janë vetëm një "nën-shërbim" i tij me rreziqe specifike për të rinjtë.

Paralelisht me këtë masë, diskutohet edhe një sfidë tjetër edhe më komplekse: ndalimi i plotë i profileve false. Kjo nismë përshkruhet nga Demiri si një terren i vështirë, që lëviz në "fijen e hollë" mes rregullimit të nevojshëm dhe censurës. Zbatimi i një politike të tillë do të kërkonte mekanizma të sofistikuar dhe një kuadër ligjor të qartë për të shmangur abuzimet.

Aktualisht, legjislacioni ekzistues adreson çështje si aksesi i paautorizuar në llogari dhe vjedhja e identitetit, por nuk mbulon në mënyrë specifike krijimin e profileve false.

 Mbetet për t'u parë se si autoritetet greke do t'i qasen kësaj problematike, e cila shihet si hapi i radhës në përpjekjet për një mjedis digjital më të sigurt.

NDIQNI DISKUTIMIN NE "ORA NEWS"