Shkon të takojë bashkëshortin në burgun e Rrogozhinës, kapet me telefon të fshehur në trup

Një tentativë për futjen e një sendi të ndaluar është goditur në IEVP Rrogozhinë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj familjarëve që hynin në institucion, u evidentua një rast i tentativës për futjen e një telefoni celular në regjimin e brendshëm të burgut.

Konkretisht, gjatë kontrollit të shtetases B. D., e cila kishte shkuar për të takuar bashkëshortin e saj, të dënuarin F. D., u zbulua një telefon celular tip “Samsung Smart”, me ngjyrë të zezë. Pajisja ishte fshehur në pjesën e pasme të pulpës, e mbështjellë me fasho farmaceutike, me qëllim shmangien e evidentimit gjatë kontrollit.

Menjëherë pas konstatimit, takimi u pezullua.