U përfshi në dosjen e rrugëve, lirohet nga burgu biznesmeni Ervis Lami

Apeli i GJKKO-së ka liruar nga burgu këtë të enjten biznesmenin Ervis Lami, i cili administronte firmën “DAAM”, e cila sipas SPAK ishte në pronësi të kreut të ARRSH-së Evis Berberi.

Kujtojmë se Lami po me vendim të Apelit të GJKKO-së do të rikthehej në qeli më 25 korrik 2024, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme më 14 qershor të po atij viti, kishte zbutur masën e sigurisë duke e lënë nga arrest me burg në arrest shtëpie.

HETIMET E RRUGËVE

Në dosjen e tij, SPAK thotë se përfitimi i Berberit ka qenë një shumë gati 2.2 milionë euro të cilat përmes kompanisë 'DAAM' shpk. janë investuar në pasuri të paluajtshme.

Berberi dhe 2 biznesmenët Ervis Lami dhe Valter u arrestuan mbrëmjen e 13 marsit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. SPAK po heton Berberin për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash” ndërsa dy biznesmenët për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.

Sipas akuzës, Evis Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe në krye të Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë 6 tenderë kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj  “NET - GROUP”, sh.p.k.  Të paktën 2.2 milionë euro ka qenë përfitimi i drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, i prangosur së bashku me Valter Begajn dhe Elvis Lamin, nga bashkëpunimi me këta të fundit në tendera dhe shitje fiktive.

Vlera e parave sipas SPAK është kaluar nga Begaj, përmes kompanisë së tij ‘Net-Group’ shpk në firmën DAAM shpk e cila ndër vite e kishte kaluar pronësinë në disa duar, por mbetej në zotërim indirekt të Evis Berberit.