Pse njerëzit sulmojnë online? Malaj zbardh të vërtetën e errët pas komenteve anonime

Shoqëria moderne po përballet me një sfidë të thellë: dallimin mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, një betejë historike që ka marrë përmasa të reja në epokën dixhitale.

Ky fenomen, i nxitur nga jeta sociale dhe reality shoW-t, ka kthyer sulmet dhe paragjykimet online në një trend shqetësues.

Sipas analizës së thelluar të ekspertes Nora Malaj, sulmet përmes profileve fallco shpesh burojnë nga individë që ndiejnë një boshllëk në jetën e tyre dhe kërkojnë të marrin vëmendje duke kritikuar personazhe të famshëm.

E ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Malaj u shpreh se në vend që të lavdërojnë, ata zgjedhin të sulmojnë, pasi psikologjikisht, “mendimi i keq është më afatgjatë dhe lë më shumë gjurmë në subkoshiencë sesa mendimi i mirë”.

Ky mekanizëm, tha Malaj, shfrytëzohet edhe nga media, ku lajmi i keq konsiderohet lajm i mirë për shkak të vëmendjes që tërheq, duke çuar në një relativizim të së keqes dhe një rritje të indiferencës shoqërore.

Kjo kulturë e sulmit anonim ka prekur veçanërisht figurat publike, ku gratë kanë qenë shënjestra kryesore e fushatave denigruese, paragjykimeve dhe shpifjeve.

Malaj tha se përdorimi i profileve të shumta fallco shërben si një “maskë” për agresorët, të cilët nuk kanë guximin të përballen me të vërtetën e tyre. Duke marrë gjysma të vërtetash dhe duke i paraqitur si fakte absolute, ata krijojnë situata që mund të kalojnë nga drama personale në tragjedi.

Fenomeni ka arritur kulmin e tij, ku sulmi online është shndërruar në një formë “argëtimi personal” për shumë njerëz, një mënyrë për të kënaqur egon e tyre duke projektuar pasiguritë te të tjerët.

Nga ana tjetër, Malaj paralajmëroi se kjo sjellje po krijon trauma të thella psikike dhe po ushqen një depresion social, pasojat e të cilit mund të jenë afatgjata për të gjithë shoqërinë.

NDIQNI DISKUTIMIN NE "ORA NEWS"