“86 47” në Instagram çon ish-drejtorin e FBI-së në gjykatë/ Nis përballja ligjore e James Corney

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, është paraqitur para autoriteteve pasi ndaj tij është ngritur një akuzë që lidhet me një postim të publikuar në rrjetet sociale për Presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas hetuesve, një foto e ndarë nga Comey në Instagram, ku shfaqeshin guaska deti të vendosura në formën “86 47”, është interpretuar si mesazh me nënkuptim kërcënues.
Prokuroria thotë se numri “86” përdoret në zhargon si “heq qafe”, ndërsa “47” lidhet me numrin rendor të Trump si president.
Comey ka mohuar çdo qëllim kërcënues, duke thënë se nuk e dinte kuptimin e numrave dhe se postimi nuk kishte lidhje me dhunë. Ai e konsideron çështjen të motivuar politikisht.
Gjatë paraqitjes në gjykatë në Virxhinia, ai nuk pranoi fajësinë dhe nuk bëri deklarata të gjata. Avokati i tij ka paralajmëruar se do të kërkohet rrëzimi i çështjes, duke argumentuar se bëhet fjalë për ndjekje të padrejtë dhe selektive.
Prokurorët e akuzojnë për kërcënim të qëllimshëm ndaj presidentit dhe për shpërndarje të një mesazhi kërcënues në komunikim ndërshtetëror. Secila nga akuzat mund të sjellë deri në 10 vite burg.
Presidenti Donald Trump e ka quajtur Comey-n “person të korruptuar” dhe ka komentuar se, sipas tij, termi i përdorur në postim ka kuptim të dhunshëm.

