Ministri Hoxha dhe përfaqësuesja çeke diskutojnë zgjerimin e BE-së: Shqipëria vijon reformat drejt integrimit europian

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim me të Dërguarën e Posaçme të Republikës Çeke për Ballkanin Perëndimor, Edita Hrdá.
Në qendër të diskutimeve ka qenë procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor dhe ecuria e reformave në vendet e rajonit.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha bën me dije se Shqipëria dhe Republika Çeke kanë rikonfirmuar angazhimin e përbashkët për zgjerimin e BE-së, duke e parë këtë proces si një investim për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.
Ai vë në dukje se Shqipëria vijon rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me hapa të qëndrueshëm dhe reforma të vazhdueshme.
Gjithashtu, është vlerësuar mbështetja e Çekisë për një proces zgjerimi të bazuar në meritë dhe për mbajtjen e Ballkanit Perëndimor në fokus të agjendës së BE-së.

