KOSOVA SHKON NË ZGJEDHJE/ Dështon zgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues

Kuvendi i Kosovës është shpërndarë pas dështimit për të zgjedhur presidentin brenda afatit kushtetues më 28 prill. Bojkoti i opozitës pengoi kuorumin, duke detyruar vendin të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke çuar në shpërndarjen automatike të tij dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme. Vendimi u konfirmua në mesnatën e 28 prillit nga kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se “sipas aktgjykimit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë”.

Procesi për zgjedhjen e presidentit u bllokua për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e opozitës bojkotuan seancën vendimtare. Kjo pamundësoi votimin për dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, duke e çuar procesin në një ngërç institucional.

Pak para përfundimit të afatit, kryeministri Albin Kurti u shpreh se situata kishte arritur në një pikë pa zgjidhje, duke theksuar se mazhoranca kishte ofruar bashkëpunim, por sipas tij, mungesa e vullnetit nga opozita e bëri të pamundur arritjen e një konsensusi. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e deputetëve opozitarë në sallë, duke e cilësuar si një qëndrim që do të gjykohet nga votuesit.

Për kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ishte Vetëvendosje ajo që e çoj vendin në zgjkedhej duke mos ia dhënë votat Vjos Osmanit

Sipas aktgjykimit të Gjykates Kushtetuese e Kosovës të datës 25 mars, në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë presidentin brenda afatit të përcaktuar, ai shpërndahet automatikisht dhe vendi duhet të organizojë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Ky zhvillim e fut Kosovën në një periudhë të re elektorale, ndërsa pritet që partitë politike të përgatiten për një garë të re për përfaqësim parlamentar dhe drejtim institucional.