Presidenti në ‘ngërç’/ Kasolli: Nuk ka përpjekje reale për presidentin, por garë për t’ia lënë fajin tjetrit

Afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës po shkon drejt fundit, ndërsa klima politike mbetet e tensionuar dhe pa një marrëveshje të qartë mes partive.

I ftuar në një lidhje direkte për Ora News, analisti Afrim Kasolli ka folur për situatën aktuale, duke e përshkruar atë si një betejë taktike mes subjekteve politike.

Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se mungon vullneti real për të arritur një konsensus për presidentin, ndërsa lëvizjet e partive janë më shumë të orientuara nga kalkulimet politike.

“Po shihet qartë që këto përpjekje nuk janë të orientuara realisht për ta zgjedhur presidentin e ri, por janë të ndikuara nga kalkulime politike se cila palë do t’ia lërë fajin tjetrës në rast dështimi.”-tha ai.

Ndërkohë, vendimi i Partia Demokratike e Kosovës për t’u tërhequr nga përpjekjet për një marrëveshje ka thelluar edhe më shumë ngërçin politik. Kjo situatë lë pak hapësirë për një zgjidhje brenda afatit kushtetues.

Kasolli e sheh këtë fazë si një përgatitje të heshtur për një skenar tjetër, nëse procesi dështon.

“Duket sikur po bëhet diçka vetëm për të mos u thënë që nuk u bë asgjë. Në thelb, është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë dhe për t’ia kaluar barrën kundërshtarit.”- u shpreh Kasolli.

Në këtë situatë, ndërsa ora po afron drejt fundit të afatit kushtetues, vendi mbetet përballë mundësisë së një bllokade të re politike dhe zgjedhjeve të parakohshme.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: