Përurohet zyra e Ministrisë së Bujqësisë në Veri të Kosovës, Kurti: Diskriminimit i ka ardhur fundi

Në Mitrovicën e Veriut sot është hapur zyra e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kjo zyrë është vendosur në objektin ku kishte vepruar në mënyrë ilegale Posta e Serbisë, e cila ishte mbyllur më 22 nëntor 2024.

I pranishëm në përurimin e hapësirave të kësaj Ministrie, ishte edhe kryeministrit, Albin Kurti i cili tha se diskriminimit i ka ardhur fundi dhe të gjithë qytetarët, pa dallime, do të mund të marrin shërbime në këtë zyrë.

Sipas tij, nga gjithsej 32 mijë fermerë që marrin mbështetje nga Ministria e Bujqësisë, 10% e tyre i takojnë komunitetit serb.

Kurse, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja tha se sot po hapet një qendër rajonale  për shërbime të përbashkëta.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së zyrës së Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Mitrovicën e Veriut ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.