Ministri Hoxha pret Izet Mexhitin në Tiranë/ Diskutime për gjuhën shqipe dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka pritur në takim në Tiranë kryetarin e Komunës së Çairit dhe një nga drejtuesit e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha ka shkruar se marrëdhëniet mes palëve nuk mund të ndahen dhe se bashkëpunimi mbetet i rëndësishëm për të ardhmen e përbashkët.

Gjatë takimit janë diskutuar çështje që lidhen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, përfshirë të drejtat e tyre, përfaqësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe.

Hoxha ka vënë në dukje se këto të drejta janë të garantuara me kushtetutë dhe duhet të zbatohen plotësisht, duke u shërbyer të gjithë qytetarëve dhe forcimit të institucioneve demokratike në vend.

Ai ka shtuar se bashkëpunimi dhe dialogu mes palëve politike është i rëndësishëm për të ruajtur dhe përmirësuar arritjet e deritanishme, si dhe për të avancuar pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Në fund, është vlerësuar edhe angazhimi për bashkëpunim mes dy vendeve dhe për forcimin e marrëdhënieve në rrugën drejt integrimit europian.