"Feriti thellon skandalin, duhet të shkarkohet menjëherë!"/ Këlliçi: Ai e pranoi fyerjen ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut
Deputeti i Partisë Demokratike e Shqipërisë, Belind Këlliçi, ka reaguar në rrjetet sociale pas deklaratave të ministrit të Jashtëm Igli Hasani, lidhur me një mesazh të publikuar më herët që është cilësuar si fyes ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Sipas Këlliçit, ministri ka pranuar se është autori i mesazhit, ndërsa ai e konsideron këtë si një skandal që duhet të marrë fund me largimin e tij nga detyra.
Reagimi i deputetit vjen pas një deklarate të ministrit gjatë një konference për shtyp, ku ai u pyet për mesazhin dhe u shpreh se çështja i përket një periudhe të kaluar.
Këlliçi thotë se qëndrimi i ministrit e rëndon më shumë situatën, duke e quajtur të papranueshme mënyrën si është trajtuar çështja dhe duke kërkuar përgjegjësi politike.
Ai shton se ministri duhet të kishte kërkuar falje dhe të ishte larguar nga detyra, duke e cilësuar të papërshtatshme që ai të vazhdojë të përfaqësojë diplomacinë shqiptare.

