VIDEO/ Avokati i acaruar nga gjykata, Cakrani: Presidentin e mbajnë në kafaz si në diktaturë, e papranueshme
Tensione dhe akuza të forta u regjistruan jashtë ambienteve të gjykatës, ku avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani denoncoi praktikën e mbajtjes së zyrtarëve të lartë në një kafaz xhami gjatë seancave gjyqësore, duke e cilësuar atë si denigruese dhe antikushtetuese.
Duke iu referuar një rasti të profilit të lartë, ai ftoi vëzhguesit ndërkombëtarë të dëshmojnë me sytë e tyre “presidentin e Republikës të mbyllur në kafaz”, një imazh që sipas tij dëmton thellësisht parimet e një shteti ligjor.
“Kjo është e papranueshme. Jemi në vitin 2026 (sic) dhe nuk mund të mbash të mbyllur në kafaz presidentin e Republikës, kryetarin e bashkisë apo çdo funksionar tjetër,” deklaroi ai para gazetarëve. Sipas tij, me këtë veprim “humbet nuanca e të qenit një shtet i së drejtës dhe bëhesh diskriminues”, u shpreh Cakrani.
Ai theksoi se kjo praktikë shkel rëndë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.
Për të përforcuar argumentin e tij, avokati bëri krahasime të ashpra historike dhe ndërkombëtare. Ai e krahasoi situatën me regjimin e Sisit në Egjipt, i cili sipas tij “i shëtiste të arrestuarit nëpër kafaze”.
Në kontrast, ai solli shembullin e Kosovës, ku edhe një i akuzuar për krime të rënda, i dënuar me burgim të përjetshëm, gjykohet në krah të avokatit të tij. Madje, ai u kthye pas në kohë, duke përmendur se edhe gjyqet gjatë kohës së Mbretit Zog në vitin 1935 ishin publike dhe të hapura.
Kritikat e tij nuk kursyen as institucionet e drejtësisë. Ai i quajti anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor “palaço” që heshtin përballë një shkeljeje kaq flagrante të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane. “Rrinë atje në zyra me kondicioner dhe nuk flasin një fjalë të vetme,” u shpreh ai i acaruar.
Në mbyllje, avokati theksoi se beteja e tij nuk është për një individ të caktuar, por është një “betejë për dinjitetin njerëzor”. Ai paralajmëroi se ky precedent është i rrezikshëm për të gjithë: “Sot është presidenti, nesër do të jetë Edi Rama, pasnesër do të jetë dikush tjetër aty.”

