VIDEO/ Aksion pastrimi në vijën bregdetare të Fierit

Në të gjitha bashkitë bregdetare të vendit ka nisur aksioni kombëtar i pastrimit që i paraprin përgatitjeve për sezonin turistik.

I iniciuar nga Ministria e Mjedisit në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, në aksionin kombëtar të pastrimit janë angazhuar po ashtu struktura të Ministrisë së Mbrojtjes, bashkive, organizatave mjedisore dhe qindra vullnetarë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga aksioni masiv i zhvilluar në bregdetin Seman–Darëzezë–Pishporo, në Fier.

Me një vijë të gjatë bregdetare ku përfshihen plazhet e Darëzezës, Semanit, Ndërnënasit dhe Pishë Poros, kjo pjesë e Adriatikut ofron hapësira pafund me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta dhe të cekëta, të pasura me gjallesa ujore.

Strukturat e bashkisë janë anagazhuar për pastrimin e plazheve ranore me shtrirje të konsiderueshme që ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 km në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 km. Pjesë e vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darëzezës 13,7 km, plazhi Ndërnënas 8 km, dhe plazhi Pishë Poro 9,5 km.

Pas pastrimit të bregdetit pushuesit vendas, por edhe turistët e huaj do të kenë mundësi të pushojnë në ambiente më të pastra.