SPAK zbardh shifrat e 2025-s, Braho në KLP: Rriten hetimet për korrupsionin e niveleve të larta, sekuestrohen 45 milionë euro pasuri
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur bilancin vjetor të punës, duke zbardhur shifra domethënëse që tregojnë një intensifikim të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe një strategji të re në përdorimin e masave të sigurisë.
Në raportin e paraqitur nga kreu i SPAK në KLP, Klodian Braho, vihet re një rritje prej 7% në numrin e çështjeve të përfunduara, ndërsa vendimet e Gjykatës së Posaçme janë rritur me 5.5% krahasuar me vitin pararendës. Efektiviteti në gjykim mbetet i lartë, me 87% të çështjeve (66 nga 76) që kanë përfunduar me vendime fajësie, duke dëshmuar për cilësinë e hetimeve të kryera.
Më pak “arrest me burg”, strategji e re ndaj masave të sigurimit
Një nga gjetjet më të spikatura të raportit është ndryshimi i qasjes ndaj masave të sigurimit. Masa “arrest me burg” ka pësuar një rënie drastike prej 53.4%, nga 236 raste në vitin 2024 në 110 raste në 2025. Kjo rënie reflekton zbatimin e parimit të proporcionalitetit, duke e konsideruar këtë masë si mjetin e fundit. Nga 434 persona nën hetim gjatë vitit, vetëm 110 janë hetuar në kushtet e arrestit me burg.
Goditje e fortë korrupsionit në nivele të larta
Lufta kundër korrupsionit mbetet një prioritet absolut, me një rritje prej 18% të çështjeve të reja të regjistruara (nga 186 në 220). SPAK thekson se korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues që përfshin zyrtarë vendorë, prokurorë, gjyqtarë dhe punonjës policie. Gjatë vitit janë dërguar në gjykatë 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të zyrtarëve të lartë. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë nën hetim, gjysma e tyre (18 persona) janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 prej tyre tashmë janë dënuar me vendim të formës së prerë.
Bilanc pozitiv edhe ndaj krimit të organizuar
Pavarësisht një numri më të ulët të hetimeve të reja, numri i çështjeve të përfunduara për krimin e organizuar është rritur me 3.4%. Më e rëndësishmja, ka një rritje prej 36.6% të numrit të personave të dërguar për gjykim, gjë që tregon një orientim më cilësor të hetimeve drejt strukturave të mirëorganizuara kriminale.
“Ndjekja e parave”: Sekuestrohen 45.4 milionë euro, përfshirë kriptovaluta
Parimi i “ndjekjes së parave” ka dhënë rezultate konkrete. Gjatë vitit, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arrin shifrën impresionuese prej 45.4 milionë eurosh. Për herë të parë, në këtë vlerë përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave me një vlerë ekuivalente prej 12.4 milionë eurosh (14.5 milionë dollarë). Vetëm nga çështjet që lidhen me zyrtarë të lartë, janë sekuestruar pasuri me vlerë 1.1 milionë euro dhe janë konfiskuar 100,000 euro.
Raporti i paraqitur nga Brahi vë në dukje gjithashtu forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me agjenci si Eurojust, Europol, FBI dhe DEA, me një rritje prej 35.7% të kërkesave për ndihmë juridike nga autoritetet e huaja, duke konfirmuar rolin e SPAK si një partner i besueshëm në luftën transnacionale kundër krimit.
PJESË NGA RAPORTIMI I KREUT TË SPAK NË KLP
Për sa i përket efektivitetit në gjykim, ka mbetur në nivele të qëndrueshme gjatë periudhës së 2020 dhe gjatë periudhës 2021-2025.
Krahasuar me vitin 2024, totali i vendimeve të Gjykatës së Posaçme është rritur lehtë me 5.5% nga 72 në 76 vendime, duke reflektuar stabilizim të volumit të çështjeve të përfunduara. Vendimet e fajësisë përbëjnë rreth 87% të totalit, 66 nga 76, ndërsa vendimet e pafajësisë janë rreth 13%, 10 nga 76.
Duke treguar nivelin e lartë të efektivitetit të Prokurorisë së Posaçme në fazën e gjykimit. Gjatë vitit 2025, numri i rekurseve të paraqitura në Kolegjin e Posaçëm të Gjykatës së Lartë për çështjet e hetuara nga SPAK-u është ulur ndjeshëm me rreth 63% nga 87 në 32.
Për këto çështje, Gjykata e Lartë ka shqyrtuar dhe marrë 59 vendime përfundimtare, ndërsa një vendim është marrë nga Gjykata Kushtetuese.
Për sa i përket masave të sigurimit, një vend qendror në veprimtarinë tonë zë politika penale e aplikuar përmes masave të sigurimit. Politika penale gjatë vitit 2025 është udhëhequr nga parimi i proporcionalitetit dhe i nevojës, duke konsideruar arrestin në burg si mjetin e fundit të sigurimit personal.
Kështu, krahasuar me vitin 2024, masa e sigurimit të arrest-burg ka pësuar rënie si në vlerë absolute me rreth 53.4% nga 236 raste në vitin 2024 në 110 raste në vitin 2025, ashtu dhe në raport me numrin total të masave të aplikuara, nga rreth 61% në vitin 2024 në 39% në vitin 2025.
Prej totalit të rasteve për vitin 2025, rreth 3.45% e tyre lidhen me vepra penale të korrupsionit, ndërsa 21.14% e totalit të tyre lidhen me vepra penale të krimit të organizuar.
Në terma numerik, nga 434 persona në hetim në vitin 2025, janë hetuar me masë sigurimi arrest në burg gjithsej 110 persona të arrestuar dhe 65 persona të tjerë në mungesë.
Për veprat penale të korrupsionit është zbatuar masa e sigurimit të arrest-burg vetëm për 15 persona të arrestuar dhe pesë të tjerë në mungesë.
Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, përfshirë dhe atë të nivelit të lartë, të dhënat e vitit 2025 tregojnë se korrupsioni në institucionet publike dhe sistemin e drejtësisë mbetet një fenomen shqetësues, i cili përfshin funksionarë vendorë dhe administrativë, por edhe prokurorë, gjyqtarë, punonjës policie e të tjerë.
Në këtë drejtim, SPAK ka shënuar një rritje prej rreth 18% të çështjeve të reja për korrupsion, nga 186 në 220, dhe rreth 12% nga 189 në 256 të çështjeve të përfunduara krahasuar me një vit më parë.
Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve penale me 124 të pandehur për korrupsion jo të nivelit të lartë, si dhe 10 procedime me 13 të pandehur për vepra penale të korrupsionit ndaj zyrtarëve të lartë.
SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë me gjashtë procedime të reja dhe 16 persona të tjerë në hetim.
Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë nën hetim gjatë vitit 2025, rreth 50% e tyre, numri 18, janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Rreth 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen e niveleve më të larta të administratës publike.
Për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, gjatë vitit 2025, edhe pse numri i hetimeve që lidhen me krimin e organizuar është më i ulët krahasuar me vitin 2024, numri i çështjeve të përfunduara për këtë kategori ka shënuar rritje me rreth 3.4%, nga 58 në vitin 2024 në 60 në vitin 2025.
Të dhënat krahasuese për periudhën 2024-2025 tregojnë gjithashtu një rritje me 11.5% të personave nën hetim dhe 36.6% të personave të dërguar për gjykim, çka tregon një orientim më cilësor të hetimeve drejt strukturave më të gjera dhe më të organizuara kriminale.
Për sa i përket hetimit financiar dhe pasuror, sektori i hetimit financiar ka shtuar funksionin me 12 hetues, ndërsa vijojnë procedurat e rekrutimit edhe për katër të tjerë, procedurë e cila është në fazën e procesit të vetingut të punonjësve që janë, hetuesve që janë kualifikuar.
Një arritje që duhet evidentuar është dhe rritja e efikasitetit të këtij sektori, i cili tashmë operon me një rrjet të zgjeruar aksesi në 22 data baza shtetërore dhe private.
Kjo ka mundësuar që të hartohen profile financiare të personave në hetim duke zbuluar skema komplekse të pastrimit të parave, të përdorimit të nga persona të tretë të parave që përbëjnë produkt të veprës penale, transfertave të dyshimta jashtë shtetit.
Gjatë këtij viti kemi vijuar të zbatojmë parimin e ndjekjes së parave, paralelisht me hetimin penal dhe vlerat e sekuestruara dhe të konfiskuara gjatë këtij viti arrijnë shifrën prej 45.4 milionë euro, ku përfshihet dhe sekuestrimi i kriptovalutave me vlerë ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë ose rreth 12.4 milionë euro.
Përsa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është në shifrën 1.1 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara për këtë vit ka qenë në shumën 100,000 euro.
Përsa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, SPAK është tashmë një partner i besueshëm për agjencitë si Eurojust, Europol, agjenci të tjera të zbatimit të ligjit, duke përfshirë dhe FBI dhe DEA.
Gjatë vitit 2025 janë trajtuar 95 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike të ardhura nga autoritetet e huaja, prej tyre janë ekzekutuar 68 nga 27 kërkesa për ndihmë juridike të dërguara në fund të vitit 2025, të cilat janë në fazë ekzekutimi.
Krahasuar me vitin 2024, në vitin 2025 kërkesat për ndihmë juridike nga jashtë u rritën me 35.7%, kohëzgjatja e ekzekutimit të tyre luhatet nga dy javë minimumi deri në gjashtë muaj maksimumi.
Për nevojat e hetimit janë përpiluar 156 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë, drejtuar autoriteteve të huaja, të vendeve evropiane, të rajonit, si dhe vendeve të Amerikës Latine.


