SHBA godet një anije që trafikonte narkotikë në Paqësorin Lindor
Ushtria amerikane ka njoftuar se ka kryer një sulm “vdekjeprurës” ndaj një anijeje në Oqeanin Paqësor Lindor, duke vrarë dy narko-terroristë të dyshuar.
Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM) në rrjetin social amerikan X pretendoi se inteligjenca ka identifikuar anijen duke operuar përgjatë “rrugëve të njohura të trafikut të drogës” dhe duke u përfshirë aktivisht në operacione të dyshuara të trafikut të narkotikëve.
Sulmi u urdhërua nga gjenerali Francis L. Donovan, komandant i SOUTHCOM-it dhe u krye nga Forca e Përbashkët Operative kundër asaj që u përshkrua si një anije e operuar nga një “organizatë e shpallur terroriste”.
“Dy narko-terroristë meshkuj të dyshuar u vranë gjatë këtij veprimi”, tha komanda.
Operacioni erdhi si pjesë e intensifikimit të aktivitetit ushtarak nga administrata e presidentit Donald Trump në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor Lindor që nga shtatori i kaluar, në emër të luftës kundër trafikut të narkotikëve.
Autoritetet thonë se të paktën 163 persona janë vrarë që nga fillimi i operacioneve.
Kritikët thonë se këto sulme përbëjnë ekzekutime jashtëgjyqësore, ku të akuzuarit nuk kanë mundësi të mbrojnë veten ose të provojnë pafajësinë e tyre para se të vriten.
Ata gjithashtu argumentojnë se faljet e dhëna nga presidenti Trump për trafikantë të dënuar të drogës tregojnë se ai nuk është vërtet i interesuar në luftimin e tregtisë së paligjshme të drogës.

