Policia “zbret” në rrugë me masa të forta/ 21,931 gjoba, mijëra për shpejtësi dhe parkim të gabuar. 'Shpërthejnë' arrestimet
Policia e Shtetit ka rritur kontrollet në rrugë në të gjithë vendin, me qëllim përmirësimin e sigurisë. Monitorimi po bëhet me radarë për shpejtësinë dhe me dronë, si në akset kombëtare ashtu edhe në qytete.
Gjatë një jave janë vendosur 21,931 masa administrative. Po ashtu, 36 drejtues mjetesh janë arrestuar, ku 22 prej tyre janë kapur duke drejtuar në gjendje të dehur dhe 14 pa leje drejtimi.
Në zonat urbane, pjesa më e madhe e gjobave lidhet me parkimet e gabuara, me 11,526 raste. Në shumë situata janë përdorur edhe mjetet ngritëse për largimin e automjeteve që bllokonin rrugët apo trotuaret.
Në rrugët nacionale, 4,775 drejtues janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë. Janë konstatuar edhe shkelje të tjera si mosvendosja e kaskës, mosvendosja e rripit të sigurimit, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, parakalimet e gabuara dhe drejtimi nën efektin e alkoolit.
Kontrollet pritet të jenë më të shumta gjatë fundjavës për shkak të lëvizjeve drejt zonave turistike. Çdo shkelje që konstatohet regjistrohet dhe shfaqet në sistemin e-Albania.
Për raste urgjente apo denoncime, qytetarët mund të telefonojnë në numrin 112.

