Siguria e qumështit në Shqipëri/ Begaj: 80–90% e prodhimit vjen nga ferma të mëdha me kontrolle të rrepta sigurie
Në emisionin “Alert” në Ora News ishte i ftuar sipërmarrësi i industrisë së qumështit, Erzen Begaj, i cili foli për zhvillimin e sektorit dhe standardet e reja të sigurisë ushqimore në Shqipëri.
Ai tha se vitet e fundit prodhimi i qumështit është përqendruar kryesisht në ferma të mëdha, të cilat funksionojnë me sisteme të kontrollit dhe investime më të larta në zinxhirin ushqimor.
Sipas tij, sot pjesa më e madhe e qumështit që përpunohet në vend vjen nga këto struktura të organizuara.
“Sot rreth 80–90% e qumështit vjen nga ferma të mëdha, ku standardet e prodhimit dhe kontrollit janë shumë më të larta se më parë.”-tha sipërmarrësi.
Begaj u ndal edhe te çështja e aflatoksinës, duke thënë se aktualisht kontrolli në ferma dhe fabrika është shumë i rreptë dhe rezultatet janë brenda normave të lejuara.
“Niveli i aflatoksinës në fermat tona është nën normat europiane, në shumë raste rezulton pa prezencë të detektueshme.”-shtoi Begaj.
Ai shpjegoi se kontrolli i qumështit nis që në fermë, ku para ngarkimit kryhet testimi për antibiotikë. Nëse rezulton prani e tyre, qumështi nuk lejohet të grumbullohet.
Më pas, qumështi ftohet në temperaturë 4 gradë dhe transportohet me autobote të posaçme drejt fabrikave të përpunimit. Aty i nënshtrohet një sërë analizash laboratorike, që përfshijnë kontrollin organoleptik, testimin për antibiotikë dhe aflatoksina, si dhe analizat fiziko-kimike.
Sipas tij, vetëm pas kalimit të këtyre kontrolleve qumështi futet në procesin e përpunimit, duke garantuar siguri dhe cilësi për konsumatorin final.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ALERT" NË ORA NEWS:

