VIDEO/ Sporte ujore, panaire dhe koncerte, Himara hap sezonin turistik më 1–3 maj

Qyteti bregdetar i Himarës do të çelë zyrtarisht sezonin turistik në datat 1, 2 dhe 3 maj, duke ftuar vizitorët vendas dhe të huaj në një atmosferë të veçantë në perlën e jugut.

Ky aktivitet treditor synon të promovojë vlerat më të mira të zonës, duke ndërthurur historinë, trashëgiminë kulturore, plazhet e virgjëra, traditën dhe kulinarinë e pasur shqiptare.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja njoftoi se përgjatë tre ditëve, Himara do të gjallërohet nga një sërë aktivitetesh sportive dhe kulturore, panaire dhe ekspozita që prezantojnë produktet dhe artizanatin vendas.

Programi parashikon zhvillimin e sporteve ujore, kënde argëtimi për fëmijë, si dhe koncerte muzikore që do të sjellin atmosferën e verës që po afron.

Çelja e sezonit turistik në Himarë do të jetë në udhëtim që bashkon historinë, trashëgiminë kulturore, plazhet e virgjëra, traditën dhe kulinarinë e pasur shqiptare.

“Për tre ditë me radhë, qyteti gjallërohet me aktivitete sportive e kulturore, panaire dhe ekspozita, sporte ujore, kënde argëtimi për fëmijë si dhe koncerte muzikore që sjellin energjinë e verës që po nis”, tha Gonxhja.